zoom

Aktualitet

Fole prostitucioni dhe shitje droge në lokal, “Fazani” prangos 6 persona në Lezhë, njëri arratiset

Një bazë prostitucioni është zbuluar dhe goditur sot nga Policia e Lezhës. 6 persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim nga blutë vendorë, teksa të dyshuarit shfrytëzonin edhe faktin e fluksit të pushuesve në këtë sezon veror.

Pasi u zbulua se kishin përshtatur një lokal në vend ku ushtrohej prostitucioni, konstatohet se nuk mungonte as aktiviteti i paligjshëm i shpërndarjes së lëndëve narkotike. Policia ka sekuestruar doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë, që u gjetën në lokal, 8000 euro, 9 aparate telefoni, dhe një automjet.

Policia ka arrestuar në flagrancë, shtetasit: Krenar (Bashkim) Lika; Ahmet Rizvani; Alketa Volaj; Blerina Leti; Vjollca Haka dhe Klaudia Oshafi.

Njoftimi i policisë:

“Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, operacioni i koduar “Fazani”. Zbulohet në Lezhë, një ambient (lokal) i përshtatur për ushtrimin e prostitucionit dhe për shitjen e drogave të forta.

Vihen në pranga 6 shtetas (pronari i lokalit, 1 shtetase që ushtronte prostitucionin, 1 shtetas që shiste dozat e lëndëve narkotike dhe 3 shtetas që nuk kallëzuan këtë krim). Shpallet në kërkim 1 shtetas, bashkëpunëtor për shitjen e lëndëve narkotike. Sekuestrohen doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë, që u gjetën në lokal, 8000 euro, 9 aparate telefoni, dhe një automjet. Si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, me metoda proaktive, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me  Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policise Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, DVP Lezhë finalizoi operacionin policor të koduar “Fazani”. Në kuadër të këtij operacioni:

u arrestua në flagrancë shtetasi K.(B.) L., 46 vjeç, banues në Malbardhe, Kurbin, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

-u arrestua në flagrancë shtetasja B. L., 42 vjeçe, banuese në Bulqizë, për veprën penale “Prostitucioni”;

u ndalua shtetasi A. R., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;

-u ndaluan shtetaset A. V., 37 vjeçe, banuese në Lezhë, V. H., 30 vjeçe, banuese në Prishtinë dhe K. O., 20 vjeçe, banuese ne Laç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

U shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit K. K., 23 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shtija e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore dhe veprimet operacionale të kryera gjatë operacionit është zbuluar se shtetasi K.(B.) L. e kishte përshtatur lokalin e tij, për ushtrimin e prostitucionit dhe për shitjen e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit u gjetën dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me shumën 8000 euro dhe një automjet. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”. /ZOOM.AL/