zoom

Bota

U arrestua në Teksas, lideri i kartelit Sinaloa u tradhtua nga djali i ‘El Chapo’

Mbreti meksikan i drogës, i cili akuzohet se ka nbushur Shtetet e Bashkuara me fentanil vdekjeprurës, është në paraburgim në SHBA.

Raportohet se ai u nxorr jashtë kufirit i futur në kurth nga një tjetër udhëheqës i kartelit të tij që ndihmoi agjentët në kapjen e tij.

Ismael “El Mayo” Zambada, bashkëthemeluesi dhe udhëheqësi i kartelit të fuqishëm Sinaloa, u arrestua në El Paso, Teksas, të enjten, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Zambada u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat në gjykatën federale të premten në mëngjes në El Paso dhe po mbahet pa garanci për 7 akuza penale.

Ai gjithashtu pranoi të heqë dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur personalisht dhe për të kërkuar garanci në një seancë të caktuar për 31 korrik.

Një tjetër udhëheqës i dyshuar i kartelit, Joaquin Guzman Lopez, 38 vjeç, u arrestua gjithashtu, sipas Garland. Guzman është djali i bashkëthemeluesit famëkeq të kartelit dhe ish-bosit Joaquin “El Chapo” Guzman, 69 vjeç, i cili po vuan një dënim të përjetshëm në një burg në SHBA pasi u dënua pesë vjet më parë me akuza të shumta.

Zambada hipi në një aeroplan me Guzman Lopez, duke besuar se ata po inspektonin një pronë në Meksikë pranë kufirit me SHBA, tha zyrtari i zbatimit të ligjit.

Por Zambada nuk e dinte se hetuesit amerikanë kishin shfrytëzuar një përçarje në kartelin Sinaloa dhe Guzman Lopez po ndihmonte në kapjen e tij, tha zyrtari.

Në vend të kësaj, avioni u ul pranë El Pasos dhe agjentët e FBI-së duke i arrestuar të dy, në një nga fitoret më të mëdha kundër karteleve.

“Dy individë zbritën nga avioni … dhe u arrestuan me qetësi,” nga agjentët federalë që po prisnin, tha një punëtor në aeroportin Santa Teresa pranë El Pasos për Reuters.

“Dukej si një gjë mjaft e qetë dhe e rregulluar,” tha ai.

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador tha të premten se qeveria amerikane “duhet të japë një raport të plotë” mbi operacionin që çoi në arrestimet.

“Duhet të ketë transparencë”, tha ai gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp.

Lopez Obrador u pyet nëse do të kishte dashur që Presidenti Joe Biden ose autoritetet e tjera amerikane të kishin kontaktuar me qeverinë e tij përpara operacionit, për të cilën ai u përgjigj: “Ne duhet të presim dhe të shohim nëse arrestimet u bënë atje apo këtu”.

AMLO, siç njihet presidenti, tha se nuk ishte në dijeni nëse një ose më shumë nga drejtuesit e kartelit u dorëzuan, por tha se arrestimet tregojnë “progres të rëndësishëm në betejën kundër trafikut të drogës”.

Postime të lidhura