Aplikacion
Më vendimin disiplinor të qeverisë së futbollit kundër FSHF, dënohet sjellja e tifozëve të Shqipërisë në dy ndeshje, ato përballë Kroacisë dhe Spanjës.
Objektiv i hetimit të UEFA-s ka qenë sjellja “raciste/ diskriminuese” e tifozëve kuqezi.
“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobitë FSHF 30 mijë euro dhe të ndalojë Federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s si udhëtuese, për sjellje raciste dhe diskriminuese të mbështetësve të saj. Dënimi në fjalë për shitjen e biletave do të jetë i pezulluar në një periudhë prove prej dy vitesh”, njofton UEFA.
Sipas vendimit në fjalë, FSHF do të paguajë gjobën, ndërsa dënimi i pezullimit të shitjes së biletave ndaj tifozëve shqiptare në një ndeshje jashtë fushe, do të hyjë në fuqi vetëm nëse në dy vitet e ardhshme do të evidentohen incidente të ngjashme.
Dënime të ngjashme janë dhënë këtë mërkurë nga UEFA edhe për Serbinë, Rumaninë, Hungarinë, Austrinë, Slloveninë dhe Kroacinë.