zoom

Lajme

Protesta e opozitës/ Berisha mban fjalim nga shtëpia: Asnjë shqiptar nuk shpëtoi pa plagë nga Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha përshëndeti protestuesit e mbledhur para godinës së Kryeministrisë përmes një ekrani të instaluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Berisha mbajti fjalim nga shtëpia, për të mos thyer masën e arrestit shtëpiak, duke e ndalur theksin kryesisht te shpopullimi i vendit.

Sipas tij, shumë shqiptarë u detyruan të braktisin vendin për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës.

“Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë. Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan. Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre. Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiptarë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës. Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues.

Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre. Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre. Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj.

Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë. Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament.
Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd”, tha Sali Berisha.

Kjo është protesta e parë kombëtare që Berisha organizon pasi mori vulën e Partisë Demokratike me vendim gjykate.