zoom

Aktualitet

“Me të ardhurat e mia unë…” – Zbardhet dëshmia. Si u mbrojt Ilir Beqaj para gjykatës

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mohoi akuzat për abuzim me fondet e BE gjatë kohës që drejtonte Agjencinë Shtetërore të Koordinimit të Ndihmës së Huaj.

Para trupës gjykuese, ai hodhi poshtë pretendimet e SPAK se ka fshehur pronësinë e një automjeti, i cili përdorej nga bashkëpunëtori i tij Ermal Kurtulaj, por në fakt ishte e tij.

Sipas Beqajt, të ardhurat e tij ia lejojnë mundësinë që të blejë jo një, por disa automjete të tilla, dhe nuk ka nevojë ta fshehë diçka të tillë.

“Unë gjithmonë hipi pasagjer se s’kam patentë. Një makinë të tillë mund ta përdor pa problem me të ardhurat që kam, mund të përballoj jo shpenzimet e kësaj makine, por disa të tilla me të ardhurat që kam, s’kam arsye ta fsheh”, u shpreh Beqaj gjatë seancës gjyqësore.

Ndërsa përsa i përket përfshirjes së gruas së tij si bashkëpronare në restorantin Gzona, ish-ministri shpjegoi se kjo i ishte shtruar si kërkesë nga një mik i përbashkët për të qenë ortakë, me qëllim që të tërheqë klientë të serës së lartë në restorant.

“Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar për shkak të njohjes klientë të serës së lartë”, tha ish-ministri.

Pavarësisht mbrojtjes së tij dhe ofrimit të garancisë pasurore, Ilir Beqaj u la në qeli.