zoom

Ide & Blog

Ismail Kadare, kërkon një vend ku ta lëshojmë

Nga Armand Shkullaku

Shteti shqiptar dëshmoi edhe njëherë se është i paaftë, qoftë edhe për t’i gjetur një vend prehje të denjë një personaliteti të shquar që i kalon përmasat kombëtare. Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, kapi në flagrancën e joseriozitetit një shtet të tërë, që në mbi një shekull ekzistencë, nuk ka bërë vend për të nderuar pas vdekjes figurat e shquara të tij.

Kaosi që shkaktoi vdekja e paparalajmëruar e Kadaresë, përshkoi fjalimin e lamtumirës së kryeministrit shqiptar, i cili më shumë se një homazh për shkrimtarin, tingëlloi si një rrëfim për hallin e tij se ku duhej t’i gjente një vend që t’i shkonte për shtat përmasave të pavdeksisë së Ismailit. Dhe lamtumira e fundit, nga një moment solemn për Kadarenë, u shndërrua në odisenë plot andrralla të kryeministrit, që ende nuk po gjente një varr që atij t’i dukej i përshatshëm për të nderuar shkrimitarin.

Ashtu si në poezinë “Kristal” të Ismailit, “…tani kërkoj unë posht’e lart, një vend ku ty të të lëshoj…”, shqiptarët dëgjuan në takimin e fundit të tyre me shkrimtarin, se si ai nuk mund të prehej në Varrezat e Dëshmorëve, por as pranë vëllezërve Frashëri e aq më pak në lulishtet e vetme që kanë mbetur, përballë hotel Rogner apo pas kryeministrisë. Për të gjitha këto propozime, kryeministri kishte refuzuar duke interpretuar sipas mendjes së tij çka do të kishte dashur vetë Ismaili. Te dëshmorët jo, se Ismaili nuk kishte rënë dëshmor dhe as kishte patur dëshirë të martirizohej. Te vëllezërit Frashëri jo, se s’kishte shumë vend mes tyre dhe do i trazohej vetmia e përjetshme. Nëpër lulishte jo se jo, se të vdekurit duhet të ndahen nga të gjallët aq më shumë që, sipas Ramës, Ismaili u ikte vendeve ku grumbulloheshin njerëz. Sigurisht që këto interpretime, për hallin e një shteti që nuk di se ku t’i bëjë vend një personaliteti, Ismaili vetë nuk kishte mundësi t’i konfirmonte.

E kështu, në pritje që të gjendet, të ngrihet apo të sajohet “panteoni ynë”, si për shumë gjëra në Shqipëri, erdhi në ndihmë “leja” provizore e një vend- prehje në varrezat e Tufinës. Për një afat ende të pacaktuar, derisa të dizajnohet, normalisht nga një studio me renome ndërkombëtare, “godina” e atyre që do të meritojnë të banojnë pas vdekjes. Ateherë me siguri do të kemi një tjetër ceremoni: inagurimi, zhvarrimi e rivarrimi dhe një tjetër fjalim mbi shkrimtarin dhe dinjitetin e shtetit shqiptar.

Nëse do ta kishte ditur andrallën që shkaktoi me ikjen e tij, shkrimtarit, që në fiksionet e tij u end aq shumë mes të gjallëve e të vdekurve, mes fantazmave e varreve, do t’i mbetej peng historia e parrëfyer trupit të tij, që tashmë është i destinuar të ndërrojë vend të paktën dy herë. Ai do të ketë një vend- pushim provizor në Tufinë, për të udhëtuar më pas, nuk dihet se kur dhe ku, në një tjetër destinacion që do të cilësohet i denjë nga kryeministri.

Njeriu që në të gjallë nuk ia dorëzoi asnjë pushteti lirinë e mendjes, tani është i pamundur të vendosë për fatin e trupit të tij. Duke materializuar kështu për së vdekuri, marrëzinë shqiptare që e magjepste për së gjalli. Vdekja e shkrimtarit që kap të papërgatitur një shtet, dilemat dhe mbledhjet e gjata, propozimet dhe çpropozimet, netët pa gjumë të kryeministrit, debatet deri në të gdhirë, për të “kërkuar një vend ku ta lëshojnë”, do të ishin ndoshta romani i fundit i Ismailit. Të cilin ai nuk mund ta shkruante, por na bëri të gjithëve ta lexojmë.