zoom

Lajme

Daliç e thotë troç: Shqipëria duhet të na shënonte gol tjetër, Kovaçiç dhe Modriç bënë gabime që…

Eliminimi i Kroacisë në fazën në grupe të një turneu madhor për herë të parë pas 10 vitesh, ka sjellë shumë polemika në këtë vend, Kundërshtarët e Shqipërisë në Grupin B pritnin të kalonin më tej, por nuk ia dolën, teksa u ndalën në vetëm dy pikë, pas barazimit me kuqezinjtë dhe një tjetri me Italinë në sekondat e fundit.

Vetë trajneri Zlatko Daliç, në një intervistë të gjatë për “HRT”, ka konfirmuar edhe ai si Federata që do të vazhdonte në drejtimin e skuadrës, teksa ka bërë një analizë të gjatë të pranisë në Europian, ku është përmendur shpesh edhe Shqipëria.

“Për ne, i gjithë Europiani u reduktua në 90 sekonda. Hiq minutën e fundit ndaj Shqipërisë dhe ato 30 sekonda ndaj Italisë dhe unë nuk do të isha këtu, ne do të ishim duke luajtur kundër Zvicrës. Ne do të kishim 6 pikë dhe tani do të flitnim për Kroacinë fantastike që luajti një pjesë të dytë të shkëlqyer ndaj Shqipërisë dhe mundi kampionët në fuqi të Italisë. Por ato 90 sekonda përcaktuan gjithçka. Ky është një dështim, por unë nuk mund ta pranoj që kjo vjen nga fakti që papritur Kroacia nuk është më një ekip i mirë.

Ndeshja me Shqipërinë? Luanim ndaj Shqipërisë që kishte energji dhe motivim. Duhet të hedhësh në fushë më të mirët që ke në dispozicion. Plani ishte që të kalonte gjithçka nëpërmjet këtyre tre lojtarëve në mesfushë, kjo ishte taktika. Mbrojtësit supozohej se do të ishin në krahë dhe përpara. Ne vendosëm Petkoviç përpara se mund të mbajë topin dhe Majer djathtas e Kramariç majtas. U kërkuam këtyre lojtarëve dhe mbrojtësve që të shkonin në thellësi.

Por pastaj ti pëson një gol në minutën e 11 dhe gjithçka fillon të shkërmoqet. Ai goli… Gvardiol ndjek Perishiç dhe pastaj e sheh hapësirën mes dy stoperave. Është e pamundur të krijosh në atë mënyrë. Asnjë nga katër lojtarët nuk e bllokon krosimin, askush nuk e ndjek lojtarin që hyn nga linja e dytë. Është një seri gabimesh të lidhura bashkë, ashtu si goli i tretë ndaj Spanjës. Por ne duhej të kishim pësuar një tjetër gol në pjesën e parë.

Brozoviç? Ishte shumë e vështirë për të, sidomos ndaj Shqipërisë ku Luka dhe Kova bënë disa gabime që normalisht nuk i bëjnë. Marcelo nuk mund të arrijë çdo gjë, mbrojtësit dolën lart, ai kishte vështirësi frymëmarrje. Po të kishim lojtarë më të mirë, do i aktivizoja. Por me këto lojtarë unë jam në borxh dhe nuk do i lë kurrë në baltë.

Ne e dominuam pjesën e dytë, ata nuk mund të krosonin në qendër, e dominuam plotësisht dhe me meritë e përmbysëm rezultatin. Pastaj në minutën e 80 në u tërhoqëm në mënyrë të pakuptimtë. Ai gol i fundit që pësuam, e pësuam në një kundërsulm. Ne qëndruam 3 kundër 3 në mbrojtje dhe e pësuam në fund. Suçiç është një lojtar fantastik, e ardhmja e futbollit kroat, por shihni golin e dytë. Lojtari i tij shkon në thellësi, ai nuk e ndjek. Ai lojtar jep një pasim dhe ne pësojmë gol. Nuk po them se është gabimi i tij, por është një seri gabimesh, në sekondën e fundit duhet të bësh një përpjekje ekstra që ta ndalosh. Shutalo mund të kishte bërë shumë më mirë, me këmbën e majtë, por ai shkon me thembër. Por këto janë gabimet. Pa atë gol, ne do të kishim kaluar grupin.

Paniku?  Ne u morëm me këtë gjë deri në sekondën e fundit të situatës së fundit të lojës., ka gjëra që shpesh të vendosin në ankth. Janë gjëra që ndodhin. Nuk e di nëse ka ndonjë skuadër në histori që ka pësuar 2 gola në sekondat e fundit në dy ndeshje radhazi”, tha ndër të tjera Daliç në analizën e tij. /ZOOM.AL/