zoom

Aktualitet

Ktheu banesën në laborator falsifikimesh duke qenë në arrest shtëpiak, kthehet në qeli 58-vjeçari

Një 58-vjeçar u mor në akuzë të re dhe riarrestua, pasi kishte kthyer banesën e tij në Korçë në një laborator falsifikimesh, edhe pse ishte në arrest shtëpiak.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare Korçë, njoftoi sot se në vijim të operacionit “The Counterfeiters”, të finalizuar në muajin korrik të vitit 2023, si rezultat i të cilit u zbulua një laborator që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas, ka vijuar në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, punën hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.

“Në vijim të veprimeve, u arrestua shtetasi: A. R., 58 vjeç, banues në Korçë, aktualisht me masë sigurie “arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Korçës, për rastin e falsifikimit të dokumenteve që u zbulua në korrik të vitit 2023.

Në bazë të dyshimeve se ky shtetas, i cili u arrestua në vitin 2023, bashkë me 2 shtetas të tjerë, gjatë operacionit të koduar “The Counterfeiters” vijonte të ushtronte veprimtarinë e falsifikimit të dokumenteve, u ushtrua kontroll në banesën e tij. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa pasaporta greke, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe falsifikimi, celularë dhe një shumë eurosh”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Policia sqaron se po vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, kurse materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. /ZOOM.AL/