zoom

Lajme

Mandati i Xhaçkës, nis seanca në Kushtetuese, Bardhi: Kuvendi ju ka sfiduar, turpi i mbetet PS-së!

Gjykata Kushtetuese po mban sot një seancë për të shqyrtuar padinë e PD në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës.

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, para trupës gjykuese sqaroi arsyet se përse u vendos ndjekja e kësaj çështjeje, ndërsa shtoi se Kuvendi me mos zbatimin e vendimit të parë, sfidoi Gjykatën Kushtetuese.

“Rreth dy vite më parë grupi ynë depozitoi në Kuvend kërkesë për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës. Pas zvarritjes, për herë të parë një vendim i marrë nga GJK është sfiduar nga Kuvendi përmes shpalljes së vetes sovran ndaj vendimeve të GJK.

Mandati i Xhaçkës tashmë edhe pak edhe mbaron vetë. Ishim të dyzuar nesë duhet të vinim në GJK apo t’i lëmë turpin e kësaj çështjeje mazhorancës. Vendosëm që duhet të vinim sepse sfida ndaj autoritetit e dinjitetit të GJK është çështje e çdo ligjvënësi që është betuar mbi Kushtetutë”, tha ai mes të tjerash.

Mazhoranca rrëzoi në Parlament vendimin e Kushtetueses, teksa e zvarriti zbatimin e saj prej më shumë se një viti, e në fund me votim shpëtoi mandatin e ish-ministres socialiste, duke kërkuar interpretim tjetër ligjor nga Kushtetuesja. /ZOOM.AL/