Ka tre skenarë hipotetikë sportivë dhe me një të katërt me hile brenda, që kualifikojnë Shqipërinë. Por të gjitha rrugët e suksesit të çojnë vetëm te fitorja e kuqezinjve me Spanjën, pavarësisht se çfarë ndodh në sfidën tjetër të Grupit B për EURO 2024, mbrëmjen e së hënës.
Pas përfundimit të ndeshjes mes Spanjës dhe Italisë, Kombëtarja shqiptare ka pak më të qartë atë që duhet të ndodhë, në mënyrë që të bëjë ëndrrën realitet, pra kualifikimin për në fazën me eliminim direkt të “Euro 2024”.
Dhe rrugët që janë përpara saj, tashmë kanë një të përbashkët të qartë, por edhe të vështirë, fitoren ndaj Spanjës. Pasi vetëm fitorja na jep kualifikim pothuajse të sigurt edhe si vendi i tretë apo pse jo dhe i dytë. Spanjollët kanë siguruar kreun e grupit, çfarëdo që të ndodhë në ndeshjen e fundit dhe për Shqipërinë, suksesi ndaj tyre në ndeshjen e të hënës është kyçi i kualifikimit. Shqipëria kualifikohet si e dyta në grup:
-Shqipëria e dyta: Nëse mund Spanjën dhe paralelisht Italia mundet nga Kroacia, por me këtë të fundit që nuk siguron një golavarazh më të mirë të përgjithshëm se kuqezinjtë. Aktualisht golavarazhi është -1 për Shqipërinë, 0 për Italinë dhe -3 për Kroacinë. Ose Italia barazon dhe Shqipëria fiton me golavarazh, të paktën 2 gola e sipër me Spanjën.
-Shqipëria del e treta: nëse mund Spanjën, por Kroacia fiton me një golavarazh jo të thellë se 3 gola, ose nëse Italia fiton me Kroacinë apo barazon dhe Shqipëria fiton me Spanjën.
-Në këtë variant, me 4 pikë, Shqipëria do të kishte thuajse të sigurtë kualifikimin, por si mes të tretave më të mira në Europian. Shqipëria mund të dalë e treta në grup edhe duke barazuar apo humbur ndeshjen, për sa kohë që Kroacia nuk regjistron një rezultat më të mirë.
Por pastaj kualifikimi si e treta më e mirë do të ishte shumë i komplikuar dhe do varej nga situata e grupeve të tjera, duke marrë si faktor pikët apo edhe golavarazhin e përgjithshëm.
-E treta, por me 2 pikë dhe rrezik kualifikimi. Italia barazon me Kroacinë dhe Shqipëria me Spanjën. Kroacia mbetet në fund për shkak të golavarazhit.
Nëse kuqezinjtë kapin vendin e tretë me 2 pikë, përveçse si një tjetër sukses përgjysmë si i vitit 2016, do shpresonim tek matematika e çmendur, që të paktën 2 ekipe të tjera të grupeve të kapnin vendin e tretë me 2 pikë dhe kuqezinjtë të kishin golavarazhin me të mirë./ZOOM.AL/