zoom

Lajme

Duka akuza dy partive të mëdha: Reforma Zgjedhore po zvarritet pa asnjë shkak!

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, deklaroi sot se reformimi i sistemit zgjedhor po zvarritet pa arsye dhe kjo, sipas tij, është shumë e dëmshme.

“Pas dështimit të Komisionit të Posaçëm të Reformës, i cili nuk arriti të ndryshonte asnjë  presje në tre vjet jetë, sot një tjetër komision, i njohur si Grupi i Dialogut, krijuar si një përpjekje për të vijuar punën e komisionit të mëparshëm, po bën të njëjtën gjë. Komisioni i krijuar me konsensus mes të gjitha palëve, mblidhet për të shqyrtuar çështje tërësisht periferike, edhe pse të nevojshme në lidhje me zgjedhjet, por nuk ka prekur ende asgjë thelbësore sa i takon reformës së vërtetë”, shprehet  Duka në një deklaratë të shpërndarë në media.

Sipas tij, edhe pse qeveria nisi një tur takimesh me emigrantët, ende asnjë hap nuk është bërë për votën e tyre.

“Presim ndërhyrje thelbësore në Kodin Zgjedhor, për të lejuar koalicionet parazgjedhore dhe për të hapur listat, në mënyrë që të krijohet frymëmarrje për partitë e vogla, dhe për t’u dhënë mundësi garimi të barabartë edhe subjekteve të reja politike”, tha ai.

Duka u shpreh se shikon një përpjekje të qëllimshme për të penguar ndërhyrjet thelbësore në kodin zgjedhor.

“I bëjmë thirrje dy partive që mbajnë edhe kryesimin e këtij komisioni, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, që të bëjnë hapa para dhe urgjente për të kapur afatet kushtetuese. I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ushtrojë ndikim e tij për të demokratizuar ligjin zgjedhor, pa pritur minutat e fundit. Nga ligji zgjedhor do të varet standardi i zgjedhjeve. Ligji aktual është bërë për t’i garantuar mbështetje atij që ka pushtetin dhe për të ndëshkuar të tjerët”, tha ai. /ZOOM.AL/