Aplikacion
Ai tha në një fjalim televiziv se Hezbollahu i mbështetur nga Irani, ka një “gamë objektivash” që do t’u nënshtroheshin goditjeve të sakta, nëse luftimet e herëpashershme shndërrohen në një konflikt më të gjerë. “Nuk do të ketë vend të sigurt nga raketat dhe dronët tanë” në Izrael, tha zoti Nasrallah.
Ai i bëri këto komente një ditë pasi një i dërguar i lartë i Shteteve të Bashkuara u takua me zyrtarë libanezë në përpjekjen e tij të fundit për të ulur tensionet. Të martën, Hezbollahu publikoi ato që ai tha se ishin pamjet e regjistruara me dron të zonave “të ndjeshme” thellë brenda Izraelit.
“Tani kemi armë të reja”, tha zoti Nasrallah të mërkurën. “Por unë nuk do të them se çfarë armësh janë ato. …Armiku e di mirë se ne jemi përgatitur për më të keqen … dhe se asnjë vend … nuk do të kursehet nga raketat tona”.
Izraeli është i vetëdijshëm për armët e Hezbollahut, tha të mërkurën gjenerallejtënant Herzi Halevi, shef i shtabit të Forcave izraelite të Mbrojtjes, gjatë një udhëtimi pranë kufirit të Izraelit me Libanin. “Armiku njeh vetëm një pjesë të vogël të mundësive tona dhe do t’i shohë ato në kohën e duhur”, tha ai.
Izraeli dhe Hezbollahu, një aleat i Hamasit, kanë shkëmbyer sulme që nga tetori, kur shpërtheu lufta në Gaza. Në tetë muaj, më shumë se 400 njerëz janë vrarë në Liban, kryesisht luftëtarë të Hezbollahut, por edhe të paktën 80 civilë. Në Izrael, 16 ushtarë dhe 11 civilë janë vrarë gjatë luftimeve.
Në fjalimin e tij zoti Nasrallah kërcënoi Qipron, duke e akuzuar atë për hapjen e “aeroporteve dhe bazave qipriote për armikun izraelit për të synuar Libanin”. Kjo, tha ai, “do të thotë se qeveria qipriote është bërë pjesë e luftës dhe rezistenca do ta trajtojë atë si pjesë e luftës”.
Në përgjigje, presidenti qipriot Nikos Christodoulides, tha se vendi i tij “nuk është i përfshirë në asnjë mënyrë” në ndonjë operacion ushtarak në rajon. Qiproja është “pjesë e zgjidhjes, jo pjesë e problemit”, tha ai, duke vënë në dukje korridorin detar nga Qiproja në Gaza, që përdoret për të ofruar ndihma në territorin palestinez. /VOA/
Berisha: Viktima Alfred Dedja, menaxher dhe dëshmitar në vendin ku u copëtua trupi i Jan Prengës