zoom

Lajme

Nis protesta e radhës te Bashkia e Tiranës, kërkohet dorëheqja e Veliajt. Molotov dhe djegie gomash

Ka nisur me tensione protesta e 12-të e opozitës sot para Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Protestuesit kanë hedhur molotov, ndërsa u dëgjuan edhe disa shpërthime. Policia thirrje për vetëpërmbajtje.

Por protestuesit kanë vendosur sipër njëra-tjetrës disa goma të vjetra dhe u kanë vënë zjarrin. Shumë prej tyre tentuan të çanin bardhin e betontë dhe atë metalik të vendosur para Bashkisë, ku u përballën me forcat e rendit.

Një person i maskuar dhe me një kapuç të zi në kokë ka spërkatur me lëndë djegëse gomat, të cilëve iu është vënë zjarri. Policia ka ndërhyrë për të fikur zjarrin.

Policia u bëri shumë herë thirrje për vetëpërmbajtje. “Ruani qetësinë”, përsëriti disa herë thirrjet e saj drejtuar turmës policia.

Edhe këtë herë nuk mund të mungonte prania e Argita Malltezit, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha, në protestën e radhës së opozitës para Bashkisë së Tiranës. Malltezi nuk ka harruar që të japë edhe një mesazh për lirimin e babait të saj nga masa e arrestit shtëpiak, ku qëndron prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.

Në protestën e javës së parë iu vu flaka gomave të vjetra, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Nga gazi u lënduan shumë protestues, madje edhe përfaqësues dhe deputetë të opozitës. /ZOOM.AL/