zoom

Ekonomi

Dështon reforma e pagave? Rroga 900 euro brenda qershorit e paarritshme

Premtimi i qeverisë për të çuar pagën 900 euro brenda qershorit duket se nuk do të përmbushet.

Burime nga brenda ministrisë së Financave tregojnë se pamundësia për të riparë buxhetin në muajin qershor do detyroj shtyrjen edhe të vendimit për rritjen e pagave për këta qytetarë që punojnë në shtet.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se brenda qershorit paga mesatare në vend do të arrijë 900 euro brenda muajit qershor në kuadër të reformës së nisur një vit më parë.

“Paga mesatare 900 euro. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni, dhe paga e radhës do jetë ajo e rritur dhe është shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, rreth 400 mln në total për burimet njerëzore”, u shpreh para pak muajsh kreu i qeverisë.

Qeveria ka premtuar që nga korriku e në vijim paga mesatare e disa kategorive, ndër më kryesorët, mjekë, infermierë dhe mësues të arrijë në 900 euro. Konkretisht mësuesit në 104 mijë e 800 lekë nga më pak se 72 mijë lekë aktualisht. mjekët e përgjithshëm në 194 mijë lekë ndërsa paga mesatare bruto e një infermieri do të rritej në 80 mijë e 180 lekë.

E njëjta gjë ka ndodhi edhe një vit më parë kur ky institucion drejtohej nga ish ministrja Delina Ibrahimaj. Rritja e pagave që duhet të fillonte që në muajin prill u reflektua në muajin qershor.

“Me miratimin e këtij ligji ne do të kemi mundësi që të vijojmë me miratimin e vendimeve të këshillit të ministrave për pagat e administratës publike. Fakti që ky ligj nuk u miratua nga parlamenti brenda muajit prill siç ishte parashikuar nga qeveria do të thotë që pagat e administratës publike do të fillojnë të rriten pas miratimit të këtij ligji që besoj do të jetë brenda muajit Maj. Pra pagat e administratës publike do të rriten nga Maji dhe do të ketë efekt me pagat që do të merren në Qershor”, ka thënë Ibrahimaj.