zoom

Bota

VIDEO/ Politikanët janë kthyer në shënjestër, goditet me grusht në rrugë kryeministrja e Danimarkës

Bota nuk është më e sigurt as për qeveritarët apo zyrtarët e lartë. Politikanët dhe udhëheqësit, sidomos ata europianë, kanë ngritur alarmin për shkak të atentateve apo agresioneve ndaj tyre.

Në Gjermani pothuajse çdo javë raportohen sulme ndaj politikanëve, në Sllovaki iu bë atentat dhe u plagos kryeministri Robert Fico, në Meksikë janë vrarë 27 politikanë dhe kryebashkiakë që nga shtatori i vitit të kaluar dhe më tej incidente pa fund.

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, është sulmuar ditën e sotme në rrugë në Kopenhagen. Mediat raportojnë se kryeministrja u largua pas një sulmi nga një burrë në qendër të Kopenhagenit dhe nuk kishte shenja të jashtme dëmtimi.

“Kryeministrja Mette Frederiksen u sulmua të premten në mbrëmje në Kultorvet, në Kopenhagë nga një burrë që u arrestua më pas. Kryeministrja është e tronditur nga incidenti”, tha zyra e saj në një deklaratë pa dhënë detaje të mëtejshme.

Policia dhe shërbimi i inteligjencës dhe sigurisë kombëtare të Danimarkës konfirmuan incidentin, por nuk pranuan të japin më shumë detaje.

“Mette është natyrshëm i tronditur nga sulmi. Më duhet të them se ai na trondit të gjithë ne që jemi afër saj”, ka shkruar ministri danez i Mjedisit Magnus Heunicke në platformën X. /ZOOM.AL/