zoom

Ekonomi

FMN: Moscenimi i pavarësisë së BSH, është vendimtar për ruajtjen e stabilitetit financiar

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.

Drejtoresha e Departamentit të Komunikimit në FMN, Julie Kozack, në një konferencë për mediat iu përgjigj interesimit të “Monitor”, lidhur me çështjen ligjore të hapur nga Prokuroria ndaj disa institucioneve financiare jobanka, shoqërive përmbarimore dhe përmbarues gjyqësorë private për abuzimet në procesin e mbledhjes së detyrimeve të pashlyera.

Zonja Kozack tha se FMN nuk mund të komentojë një çështje që ndodhet në proces hetimi. Megjithatë, ajo theksoi se FMN ka mbështetur në vitin 2015 planin e autoriteteve shqiptare, për uljen e raportit të kredive me probleme. Si pjesë e këtij plani, Banka e Shqipërisë mori mandat ligjor për licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve të mbledhjes së kredive me probleme. Ajo gjithashtu theksoi se, pavarësisht zhvillimeve të kësja çështjeje, ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është e domosdoshme, në mënyrë që ky institucion të përmbushë misionin ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar.

“Shumë prej jush e dinë që ne nuk mund të komentojmë një hetim ligjor që është në zhvillim e sipër. Megjithatë, duam vetëm të sqarojmë një element specifik. Është një çështje e njohur publikisht që analizat në kuadër të programit të mbështetur nga FMN në vitet 2015 dhe 2016 identifikuan nivele të larta të kredive me probleme, si një element cenueshmërie për sektorin bankar. Në këtë kontekst, FMN miratoi planin e veprimit të autoriteteve shqiptare të vitit 2015 për të reduktuar kreditë me probleme. Ky plan, mes të tjerash, i dha Bankës së Shqipërisë mandatin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të menaxhimit të kredive me probleme, duke pasur parasysh ndërlidhjen e tyre me sistemin bankar. Gjithashtu, duam të shtojmë se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar,” tha znj.Kozack.

Gjatë muajit maj, Prokuroria e Tiranës njoftoi zyrtarisht hapjen e procedimit për veprën penale ‘skema mashtruese dhe piramidale’, si pjesë e kallëzimit penal nr.3464, datë 25.02.2020, i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH. Gjithashtu, ndaj aksionerëve e drejtuesve të këtyre kompanive dhe disa përmbaruesve gjyqësorë privatë janë ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe vjedhje.

Në vijim të hapjes së procedimit penal, Banka e Shqipërisë vendosi revokimin e licencës së institucioneve financiare jobanka MicroCredit Albania dhe Final. Lidhur me këtë çështje, Banka e Shqipërisë shprehet se problematikat e evidentuara kanë ndodhur në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm dhe në kryerjen e veprimeve përmbarimore në mbështetje të urdhërit të ekzekutimit.

“Kuadri ligjor nuk i jep Bankës së Shqipërisë kompetencën të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve. Kjo është një kompetencë që ligji ia njeh vetëm gjykatës. Për rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli nga Banka e Shqipërisë, e cila nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë. Në këtë pikë theksojmë se, autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj. Po ashtu, Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë në marrëdheniet që MCA ka me nënkontraktorët e saj, siç është rasti i shërbimit përmbarimor” thuhet në një prononcim të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë nënvizon se ka rekomanduar dhe vazhdon të sugjerojë disa aksione të cilat do të sillnin një përmirësim të qenësishëm të gjithë ketij procesi, por që kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera.

“Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë; hartimin, në bashkëpunim me Bankën Boterore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka; përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit; shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me dy nivele; regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e intereresit,” shprehet Banka e Shqipërisë. /Monitor/