Aplikacion
Berisha tha se garancia juridike dhe konkurrenca e ndershme është kushti i të gjitha kushteve për të tërhequr investimet e huaja. Ai theksoi se ekonomia do të frymojë vetëm në rast të derregullimit të infrastrukturës ligjore aktuale.
Berisha vuri theksin tek ulja e TVSH-së duke marrë shembull suksesin që qeverisja e PD arriti në vitin 2005, taksën e sheshtë më të ulët në Europë, e mbështetur fuqimisht edhe nga FMN. Berisha e quajti qeverisjen Rama, “Një piramidë gjigante vjedhjeje”.
Fjalimi i Berishës:
“Së pari dëshiroj t’ju përgëzoj shumë përzemërsisht për këtë projekt program. Do të thoja me plotë bindje të shkëlqyer që ju keni përgatitur. Unë e kam lexuar me vëmendje dhe e dëgjova me vëmendje ekspozenë. Është bërë një punë shumë çmuar. Keni trajtuar problemet madhore dhe në bindjen time ky program është programi i terapisë së vërtetë të ekonomisë shqiptare.
Është programi më i mirë që është paraqitur ndonjëherë për ekonominë e këtij vendi dhe për shoqërinë. Ju përgëzoj për guximin që keni treguar në përcaktimin e objektivave dhe ju garantoj se jeni plotësisht realistë në objektivat që ju keni përcaktuar. Fuqia e lirisë është magjike. Tejkalon imagjinatën tonë dhe ne këtu këtë do kemi boshtin kryesor të reformës sonë ekonomike.
Gjithçka ju keni paraqitur garanton lirinë ekonomike të shqiptarëve, konkurrencën e ndershme, duke derregulluar infrastrukturën ligjore aktuale dhe vendimeve të ekonomisë për t’i dhënë asaj frymëmarrjen që meriton. Ndaj dhe derregullimi është një proces i cili kërkon nga ekipi juaj të studiojë çdo rregull burokratik, korruptiv që kjo qeverisje ka marrë apo ka vendosur, dhe të përgatisim të gjitha aktet derregulluese për t’i dhënë lirisë ekonomike hapësirat maksimale që meritojnë.
Ne jemi parti e taksave të ulëta dhe ju e keni pasqyruar shumë mirë këtë. Kam një sugjerim të guxojmë të prekim tabutë dhe tabu është TVSH-ja. Unë jam që të mos ngurojmë. Nuk jam për përshkallëzime por jam për një ulje prej 25% të nivelit aktual të saj.
Të dashur miq,
Po ju rikujtoj një moment kur në vitin 2005 vendosëm taksën e sheshtë më të ulët në Europë, e dyta më e ulët ishte, në mos gaboj, tek 17%, e Sllovakisë, FMN një partner i çmuar, pothuaj ngriu marrëdhëniet me ne, në kuptimin që, siç e themi ne shqiptarët “po të doli djalë e kemi bashkë, po doli vajzë e ke për vete”. Të më falin zonjat se përdora një term. Por Fondi qëndroi soditës. Pas 6 muajsh ne e fituam betejën. FMN përgëzoi sepse rezultati nga ulja e taksave ishte spektakolare. Është e domosdoshme të keni ju si ekip një parim i cili në fakt është i vjetër. E mira më e madhe e numrit më të madh. Çfarë shpreh kjo? Kjo shpreh shpërndarjen.
Pse e them unë këtë. Përsëri ne jemi parti me histori. Ne kemi bërë histori në reformat tona. Grupi i Bostonit, një nga grupet më serioze në SHBA, në vitet 2010 në analizën që i bëri shpërndarjes së të ardhura nga qeveritë e ndryshme, në publikimin e tij, me një parathënie nga Tony Blair, Shqipërinë e rendit vendin e 4-t në botë për shpërndarjen më të mirë të të ardhurave. Ju a them unë pse? Sepse ne së pari investuam miliarda në rrugë të cilat preknin të gjithë komunitetet, ne dyfishuam rrogat dhe pensionet të cilat i dhanë një goditje të fortë varfërisë. E ulën atë nga 18% në 12% kurse ekstremin e ulën me 3-4 herë, ishte 3.4 dhe e ulën në 1.07. investuam shumë në shkolla, qendra shëndetësore. Ne kapëm atë pozicion nderi për shkak të asaj shpërndarje që bëmë me investimet.
Por kjo nuk do të thotë që ne në këtë katër vjeçar që vjen do të ndërtojmë 11 mijë km rrugë. Jo. Ose nuk do të thotë që do të ndërtojmë dhe rindërtojmë 1 mijë e 300 objekte arsimore. Por, po, në do të dyfishojmë rrogat, kjo nuk ka diskutim. Përsëri kjo nuk të çon në zbatimin e gjerë të parimit “ E mira më e madhe e numrit më të madh”. Nuk është populizëm kjo. Jo. Ne jemi parti konservatore. Ne krijojmë të ardhurat duke u bazuar në lirinë ekonomike. Por ne nga ana tjetër kujdesemi për shpërndarjen e tyre. Bëjmë kujdes sa më të madh. Prandaj do të kërkoja nga ju që në këtë aspekt ta elaboroni më tej këtë program të shkëlqyer që keni përgatitur. Ju keni parashtruar këtu bazat e një tregu pune në një barrë fiskale të moderuar, por përsëri një elaborim i mëtejshëm, dhe kjo nuk është vetëm e juaja, natyrisht është program i Departamentit të Punës dhe Çështjeve Sociale, por nuk mund të mos jetë në fokusin tuaj edhe tregu i punës.
Të përdorim, të gjejmë gjetjet, praktikat më të mira për aftësimin e tij. Një treg fleksibël, një treg dinamik është në vetvete një promotor i sigurt i rritjes ekonomike. Ne vend me pasuri të mëdha dhe për definicion jemi vend me potencial të madh eksportues, por ne duhet të bëjmë gjithçka të mos eksportojmë lëndë të para, por të eksportojmë produkte, produkte, produkte. Ndaj dhe në këtë kuadër nuk mund të mos jemi, nuk them që ne do të shndërrohemi në një ekonomi e bazuar në eksporte, por një ekonomi që përkrah eksportin duhet të jemi.
Keni përcaktuar shumë mirë zonat e lira dhe duhet të bëjmë gjithçka, të përgatitemi për suksesin e tyre. Përse Maqedonia të ketë sukses dhe ne të mos kemi? Ndaj edhe duhet të studiojmë çdo kuadër, t’i bëjmë ato një sukses të vërtetë. Konkurrenca e ndershme është kushti i të gjitha kushteve për të tërhequr investimet e huaja. Garancia juridike është e një rëndësie fondamentale për investimet e huaja. Sot kjo garanci mungon, është zero pothuaj. Por përse është zero? Sot për një çështje civile apo administrative, biznesmeni apo qytetari duhet të presin 14.6 vite sipas Kryetares së KLGJ-së.
Natyrisht nuk janë këto çështjet madhore të Departamentit të Ekonomisë, duhet Departament tjetër të elaborojë dhe të merret sepse pa garanci juridike nuk ka shtet ligjor. Pa shtet ligjor ka narkoshtet. Ka informalitet të tmerrshëm. Ju jeni dëshmitarë se çdo ditë flitet për turizmin dhe është e vërtetë që numri i turistëve nga 4.7 milionë që ishte në 2013-ën, duket ka arritur në 10 milionë. Por cilat janë të dhënat? A e dini ju që netët e fjetjes janë 4 herë më të ulëta se në Malin e Zi? Mali i Zi regjistron 2.3 milionë turistë në vit me 12.8 milionë net hoteliere, net, fjetje. Shqipëria regjistroi 7.5 milionë turistë këtë vit me 3.8 milionë net fjetje. Kënetë. Kjo është kënetë. A e dini ju se fatura e përgjithshme e shitjes nga ajo që mund ta quajmë turizëm përveç pompave të benzinës në vitin 2022 ishte gjithsej 140 milionë euro. TVSH-ja e inkasuar 5% është 8 milionë Euro.
Të dashur miq,
Ju rikujtoj vetëm një gjë se për turizmin taksapaguesit më të varfër të Europës, kanë paguar çdo vit 400 milionë Euro nga të cilat vetëm pllakat e gurit në ato që quhen qendra të qyteteve janë futur 2.5 miliardë Euro. Një vjedhje gjigante, një piramidë gjigante vjedhjeje. Mund t’ju numëroj disa zëra të tjerë të cilat ndëshkojnë në mënyrë barbare taksapaguesit shqiptarë dhe qytetarin shqiptar. Merr 8 milionë, por le ta zëmë se mori 80 milionë dhe shpenzon 400 milionë. Verbëri. E tëra e diktuar nga vjedhja. Investime të diktuara ku mund të vjedh më shumë. Se ndryshe nuk mund të bëhet. Se këto pllaka gurësh që janë shtruar në qendër të qyteteve janë absolutisht, kushtojnë jo më shumë se 20% e asaj që është vjedhur deri sot me to. Çdo investitori strategjik që investon 5 milionë dhe kjo nuk të ekzistojë më.
Nuk ka gjë më qesharake se të shpallët investitor strategjik atë që investon 5 milionë. Investitori strategjik që e kuptoni listën e tyre kush janë u ndërtohet gjithçka nga paratë e taksapaguesve dhe ata për 10 vite nuk paguajnë asnjë qindarkë. Pra, nëse ka një fushë e cila po rëndon mbi supet e shqiptarëve më shumë, është pikërisht sajo që duhej të ishte, më lehtësuesja. Kështu që këto çështje do të jenë edhe të Departamentit të Turizmit, por janë të pandara edhe nga shqyrtimi i Departamentit të Ekonomisë. Mqse me meritë, keni meritë, keni trajtuar problemin e shpopullimit, atëherë duhet të shpallim publikisht se qeveria do të paguajë për fëmijën e tretë nga lindja deri në moshën 21 vjeçare. Çiftet të cilat do të lindin fëmijën e tretë, do të kenë trajtim me rrogë për personin për 21 vite. Ne kalojmë tani në politikën aktive të popullimit, në politikën demografike të ripopullimit të Shqipërisë.
Ishte një punë jashtëzakonisht serioze që keni bërë. Faleminderit”. /ZOOM.AL/