zoom

Lajme

RAI 3 njofton emisionin e radhës për Rama-Meloni: Disa politikanë gjetën “Eldoradon” në Shqipëri…

Emisioni investigativ ‘Report’ i RAI3 në Itali do t’i rikthehet sërish marrëveshjes Rama-Meloni mbi emigrantët, që do të strehohen në dy kampe në Shqipëri, Gjadër dhe Shëngjin.

Mësohet se pjesa e dytë e emisionit është planifikuar që të transmetohet më 2 qershor. Kjo pjesë ishtë bllokuar në mënyrë të befasishme, teksa vetë redaksia njoftoi se po përgatitej edhe intervista me Ramën, që të ishte më e plotë pas përplasjeve në distancë dhe polemikave që shkaktoi pjesa e parë.

Kanë qenë vetë gazetarët e emisionit që kanë deklaruar se një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk gjendet asgjë në të dhënat e qeverisë.

“Një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk gjetëm asgjë në të dhënat e qeverisë. Ky person përmendet në një rast të korrupsionit të zyrtarëve. Ka disa politikanë që kanë gjetur Eldoradon në Shqipëri”, thuhet në klipin e emisionit investigativ.

Por do transmetohet apo do anulohet sikurse herën e kaluar, kjo mbetet për t’u parë të dielën. Kryeministri Edi Rama shkëmbeu kritika publike dhe ankesë ndaj emisionit dhe gazetarit, duke i quajtur shpifje për Shqipërinë ato që u publikuan. Ai tha se nuk tërhiqet nga marrëveshja dhe ato që u publikuan për Sekretarin e Përgjithshëm Engjëll Agaçi ishin sajesa pa prova.

Emisioni hodhi dyshime se Agaçi kishte qenë kumbari i marrëveshjes për emigrantët dhe se kishte lidhje me segmente të botës së krimit, të afruara me qeverinë. Opozita kërkoi edhe interpelancë parlamentare me Ramën, por kjo u refuzua nga mazhoranca dhe vetë kryeministri. /ZOOM.AL/