zoom

Aktualitet

Kapja e 320 kg kokainë në kontejnerët me karkaleca, arrestohet biznemeni shqiptar (Emrat)

Janë gjetur 320 kilogramë kokainë brenda dy kontejnerëve që transportonin karkaleca nga Amerika Latine. Droga u zbulua nga oficerët e portit në portin e Pireut.

Destinacioni final i drogës raportohet se ishte Shqipëria, prej nga do të bëhej edhe shpërndarja drejt vendeve të Europës.

Pas zbulimit të drogës u arrestuan Jasona Mërkuri, 54 vjeç, Aleksandër Mërkuri 45 vjeç, Marsel Stafaj 36 vjeç dhe greku Ioannis Biglakis 64 vjeç.

Biznesmeni 54 vjeçar, i cili zotëron dyqan me veshje në Shqipëri dhe autobus turistik në Greqi , rezulton i shpallur në kërkim nga policia greke prej marsit 2017.

Ai akuzohet nga autoritetet greke si financues dhe organizator i një laboratori të drogave sintetike Captagon, ku gjatë një operacioni të policisë u sekuestruan 634 mije e 246 tableta si edhe u arrestuan disa persona, mes të cilëve kunati i tij.

Gjithashtu ai përdor dhe identitetet si Andrea Mërkuri dhe Azdren Muharremi, ndërsa rezulton se ka përdorur më parë pasaportë serbe.

Në vitin 2008, kunati i biznesmenit është arrestuar me automjetin e tij nga policia turke, në tentativë për të trafikuar 22 kg heroinë nga Turqia në Greqi. Kunati i Jasona Mërkurit është arrestuar më pas edhe gjatë operacionit të vitit 2017.