zoom

Lajme

Sekretari britanik Cameron zbarkon në Tiranë, Rama zbardh detaje nga takimi. Në fokus edhe Porti…

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, mbërriti sot në Shqipëri, ku do mbajë takime zyrtare.

Ka qenë ministri i Jashtëm, Igli Hasani ai që ka pritur në Rinas, Cameron. Më pas, siç e përcakton edhe agjenda, Cameron është takuar me Ramën në Kryeministri.

Ky i fundit, pasi shpërndau foto nga takimi, në një konferencë të përbashkët për shtyp me David Cameron, vlerësoi këtë të fundit për miqësinë e tij. Rama zbuloi edhe detaje rreth bisedës që ka bërë me Cameron, për disa projekte, si për portin e Durrësit.

“Është një ditë e veçantë, pasi kemi një mik nga një vend që është aleat nga një partner i rëndësishëm, Lordin Cameron. Një mik i posaçëm i këtij rajoni. Erdhi në Tiranë, pasi e ka marrë ftesën prej disa vitesh. Tani jam i bindur se do të rikthehet përsëri. Sot e kemi diskutuar për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre, për të cilën kemi folur qoftë në aspektin e marrëdhënieve mes dy vendeve aleate në NATO dhe në marrëdhëniet bilaterale në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në vendin tonë.

Dëshiroj të theksoj se kemi folur për Shqipërinë, për Kosovën, dhe për rajonin, që është hekurudha Durrës-Prishtinë, e cila është element kyç i projektit të kapacitetit lëvizës, jo vetëm mes dy vendeve tona. Së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit. Jemi në përgjigje të NATO-s, për krahun ushtarak për Portin e Durrësit. Edhe Kosova, do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë. Ky është një projekt që tejkalon dy vendet tona dhe Mbretëria e Bashkuar ka shprehur dëshirën që të përfshihet, me ekspertizën dhe analizën”, tha ai.

Ndërsa Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron deklaroi se Shqipëria duhet të vijojë para me reformat, ndërsa shprehu gatishmëri se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë të japë kontribut në sistemin gjyqësor.

“Jo vetëm që keni fituar më shumë zgjedhje se unë se vazhdoni në detyrën, por keni dhënë shembull të qartë se ku duhet të jetë Shqipëria. Flas në emër të Sunak; kjo ka qenë dhe do të jetë një nga frytet më pozitive për ne. Eksportet janë rritur me 20%. Sa i përket krimit të organizuar dhe krimit të rëndë, po ndihmojmë dhe në modernizimin e gjyqësorit tuaj. Ju vazhdoni me reformat tuaja. Sa i takon shifrave të emigracionit, ka pasur rezultate pozitive.

Ky është një problem të cilin duhet ta përballoni ju. Keni treguar se jeni inovator dhe krijues, dhe punoni për këto partneritet. Ekonomia juaj është rritur, sektori i turizmit është rritur. Do të ketë më shumë mundësi që njerëzit të rrinë në Shqipëri. Kur Ballkani Perëndimor ia del mbanë, ia del dhe Europa. Jam vërtetë i kënaqur që të vini në Britani më 18 korrik dhe jo në 2 qershor siç thatë ju se nisa të shqetësohesha. Nuk do të mbahet në Londër”, tha Cameron në krah të Ramës, teksa të dy mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Edhe kreu i diplomacisë shqiptare, ministri Igli Hasani, bëri një reagim për vizitën.

“Kënaqësi të mirëprisja në Tiranë, Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin, Lord David Cameron. Në kuadër të kërcënimeve aktuale për sigurinë evropiane, ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësor, duke përfshirë forcimin e mbështetjes për Ukrainën dhe adresimin e sfidave për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkruan në rrjetin X, ministri i Jashtëm.

Kurse Presidenti Bajram Begaj njoftoi e do presë sot, në orën 14.30, Sekretarin Britanik te shtetit për çështjet e jashtme, lordin David Cameron.

AXHNENDA:
-Cameron do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama dhe në orën 12:50 do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

-Ditën e nesërme, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron.

-Pas takimit, Rama dhe Cameron do të zhvillojnë konferencë për shtyp në orën 12:50 te biblioteka, Cod”, njofton Kryeministria.

-Në orën 14:30, sekretari i Jashtëm britanik do të jetë në Presidencë, ku do të pritet nga kreu i shtetit, Bajram Begaj. /ZOOM.AL/