Aplikacion
Policia e Shtetit konfirmoi dy operacionet e kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe homologët e dy vendeve, duke dhënë detaje për emrat dhe dosjet, teksa ka nisur edhe procesi i ekstradimit të tyre.
Operacioni i parë ka qenë ai “Surnames”(Mbiemri), në EBA, ku u lokalizua dhe kap 40-vjeçari me 3 identitete.
“Si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të shtetit shqiptar, dhe shkëmbimit të këtij informacioni, nëpërmjet zyrave homologe të Interpolit: U kap në Emiratet e Bashkuara Arabe, shtetasi Hajdar Bako alias Hajdar Copja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç, i lindur në Elbasan, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, ky shtetas, së bashku me 4 të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 persona të tjerë.
Kurse në aksionin e koduar “Area”, u kap në Belgjikë shtetasi A. G., 39 vjeç, pasi Gjykata e Fierit, më datë 15 tetor 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”.
Më datë 15 korrik 2021, gjatë kontrollit në tokën në pronësi të 39-vjeçarit, në zonën Grizë Lenginas, Fier, u gjetën të mbjella bimë narkotike cannabis sativa. /ZOOM.AL/