zoom

Aktualitet

Mitingu i administratës në Athinë/ Gazetari zbulon detajet: Drejtorin e nxorën të bënte autokritikë

Drejtori i Teatrit të Bylisit, Klajdi Marku, ka dhënë dorëheqjen nga detyra menjëherë pasi ra në rrjetën e investigimit të emisionit të “Piranjave”, ku pranonte se kishin ardhur posaçërisht nga Shqipëria në takim me kryeministrin Edi Rama në Athinë.

Marku është shprehur se dorëheqja erdhi pas emisionit, por duke treguar dhe versionin e tij se si u bë pjesë e takimit të kryeministrit me emigrantët në Athinë. Eraldo Harlicaj, gazetari investigativ i emisionit ‘Piranjat’ u shpreh se është mjaft e habitshme mënyra se si Klajdi Markun e nxorën të bënte autokritikën një ditë më pas, duke e detyruar të jepte dorëheqjen.

“Ka shumë persona, të cilët i kemi kapur, që kanë ardhur nga Shqipëria e që kishin udhëtuar pikërisht për këtë ‘festë’ le të themi. Kemi kapur nga Burreli, nga Lezha, Cërriku, por pjesa më e madhe e tyre ishte ato të administratës.

Ajo ç’ka më bëri përshtypje ishin se kur futeshe në një sallë, ata ishin të shpërndarë në grupe dhe nuk largoheshin nga njëri-tjetri se kishin frikë se humbisnin, të ndarë si ekipe futbolli me në krye kryetarin e bashkisë që i rreshtonte dhe ishte shumë shqetësuese për ta fakti se në momentin që humbte grupi, nuk dinin nga shkonin.

Në aspektin njerëzor sigurisht më vjen keq për drejtorin e teatrit të Bylysit, për mënyrën se si e nxorën të bënte autokritikën një ditë më pas duke e detyruar të jepte dorëheqjen. Patjetër nuk ishte qëllimi ynë që të largoheshin njerëz nga puna, veç faktit se donin të nxirrnim një të vërtetë.

Ne kishim informacion dhe që në momentin që zotëria është ulur nga autobuzi së bashku me fëmijët, pra të rinjtë i kemi ndjekur hap pas hapi deri në momentin që ai u kthye sërish në autobus. Kishte organizim perfekt nga bashkia e Lezhës, nga ato të Burrelit, Mallakastrës dhe ishte e habitshme fakti që ishin të mësuar mjaft mirë dhe nuk e di se si ‘u peshkuan’ aq lehtë'”, tha gazetari. /ZOOM.AL/