Aplikacion
Mitingu i Ramës me mbështetësit e partisë së tij në Athinë ishte gjëja më normale në botë. Budallej ishin ata, si në Tiranë, po ashtu edhe në Athinë, që u reshtuan kundër tij. Madje edhe qëllimi i qartë i kryeministrit për të provokuar me datën e zgjedhur për të shkelur në tokën greke, apo për të ndërhyrë në zemër të fushatës elektorale për zgjedhjet evropiane të vendit fqinjë, duhen konsideruar pjesë të këtij normaliteti. Demokracia e pranon provokimin si një domosdoshmëri me të cilën duhet të bashkëjetojë dhe pa të cilën ajo do të ishte e mangët.
Pra, të gjithë ata që nuk deshën të shihnin një lider politik shqiptar të shkelte tokën greke u dukën po aq anakronikë, si propogandistët e rilindjes, që bërtisnin dikur kundër mitingut të Mitsotakistit përkrah Belerit, apo akoma edhe më keq, që i’u vërsulën Albin Kurtit kur erdhi në Tiranë për të mbështetur protestat e studentëve. Gjithkush që përqafon këto pozicione kundër lëvizjes së lirë të njerëzve, ideve dhe të drejtës për tu tubuar rreth tyre, dëshmohet si një mendje mbyllur, dhe i pa përshtatur me botën liberale ku jetojmë. Në këtë optikë Edi Rama, sado ta duan apo ta urrejnë atë, këtë radhë ishte në të drejtën e tij që të zhvillonte një takim me mbështetësit e vet në emigracion.
Lëvizja e tij, qoftë edhe po të supozojmë se fshihte qëllime të mbrapshta, mbetej brenda normalitetit. Ama, nga ana tjetër, e vetmja gjë anormale, ishte pesha që kryeministri u rek ti jepte asaj. Ai mobilizoi militantë të jugut dhe punonjës bashkish, për tu turrur me autobuza drejt Athinës. Ai tërhoqi pas vetes një gjysmë duzine le qeveritarë. Ai ngarkoi në barkun e Migjenit gjithë taborin e borrizanëve të tij mediatikë. Ai u dha porosi televizioneve kombëtare të shkulinn pjesën më të madhe të redaksive të tyre në kryeqytetin grek. Ai pushtoi gjysmën e kohës të edicioneve të lajmeve që kontrollon, të cilat nuk nguruan të prodhojnë tituj ku theksohej “pritja madhështore”.
Pra, ishte ai që u përpoq më të gjitha mënyrat që një takim të zakonshëm ta shndëronte në një eveniment të jashtëzakonshëm. Qe ai ai që u mundua ta veshi udhëtimin e tij në vendin fqinjë me nota heroike dhe kalorsiake.
Në këtë këndvështrim ne mund t’i kritikojmë sot, me gojën plot, të gjithë ata që e konsideruan mitingun e kësaj të diele si vizitën e “një miku të paftuar”. Ne duhet ta pohojmë pa frikë se mendësia e tyre bie ndesh me principet e botës së lirë ku jetojmë. Por, pasi kemi bëtë këtë, nuk mund të rrimë pa thënë se edhe vetë kryeministri ynë është i prekur nga i njëjti virus iliberal i kritikëve të tij. Njësoj si të kundërtat që takohen në një pikë edhe ai është i mbrujtur po me mentalitetin e atyre që nuk e shihnin zbarkimin e tij në Athinë si diçka normale. Pasi vetëm dikush që logjikon në këtë mënyrë mund të përpiqej ta shndërronte një akt politik të zakonshëm në një shfaqe poropagandistike anormale.
Me taborin që mori me vete, me bujën që organizoi dhe zhurmën që ndolli, Rama e paraqiti veten si heroin që po ecën në një tokë të minuar. Provën e këtij “heroizmi” ende vazhdojmë ta shikojmë në jehonën që po i bëjnë vizitës borizanët mediatikë të kryeministrit. /Marrë nga Lapsi.al/