zoom

Aktualitet

Fole prostitucioni në qendrën SPA, prangoset menaxherja dhe nën akuzë 4 punëtore. Arratiset pronari

Zbulohet një tjetër fole prostitucioni në kryeqytet, e kamufluar pas qendrave SPA, teksa nën akuzë janë 6 persona, mes tyre edhe e dyshuara si drejtuese e biznesit ilegal.

Policia konfirmoi se goditi sot në operacion të befasishëm këtë qendër masazhesh në Tiranë, që shërbente dhe si ‘fole’ prostitucioni. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra menaxherja e qendrës së masazheve, 28-vjeçarja me inicialet M. H.

“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Flower”. Kishte përshtatur një qendër masazhesh, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit, shpallet në kërkim 29-vjeçari. Vihet në pranga menaxherja e qendrës së masazheve, procedohen penalisht 5 shtetas të tjerë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Flower”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Konfirmohet se si rezultat i tij u arrestua në flagrancë shtetasja M. H., 28 vjeçe, menaxhere në një qendër masazhesh, u proceduan në gjendje të lirë shtetaset E. H., 26 vjeçe, E. C., 35 vjeçe, K. O., 26 vjeçe, B. K., 25 vjeçe, punonjëse në qendrën e masazheve, dhe shtetasi L. Q., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Kurse në kërkim u shpall shtetasi M. Xh., 29 vjeç, që besohet se drejtonte këtë aktivitet.

“Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se, shtetasi M. Xh., administronte një qendër masazhesh, në Unazën e Re, me menaxhere shtetasen M. H., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, sqaroi policia. /ZOOM.AL/