Aplikacion
Sipas burimeve policore, viktima Emiljano Frroku ka qenë duke ngjitur vinçin dhe ai është shkëputur duke rënë poshtë bashkë me të.
Objekti ishte pallat në ndërtim, por sipas burimeve kati i 9 dhe i 10 po ndërtoheshin pa leje. Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim 3 persona, drejtues të firmës dhe teknikë të punimeve, ndërsa vijojnë hetimet. Ppersonat e shpallur kërkim janë; Leon Ndici, Martin Biba dhe Loren Haxhia.
Në hetim janë përfshirë dhe Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Lezhë dhe Policia vendore, për të vlerësuar mosveprimin e tyre dhe shpërdorimin e detyrës.
Sipas Inspektoriatit të Punes, viktima rezulton se ishte i pasiguruar dhe punonin në të zezë, duke shtuar një tjetër akuzë ndaj ndërtuesit të objektit.
Njoftimi zyrtar:
“Në vijim të informacionit paraprak, të dhënë mëngjesin e djeshëm, për shtetasin E. F., 28 vjeç, i cili humbi jetën dyshohet si pasojë e rënies aksidentale, nga lartësia e pallatit ku po punonte, në Shëngjin, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë shpallën në kërkim, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
-L.N., 51 vjeç, banues në Tiranë, administrator i firmës për ndërtimin e pallatit;
-M.B., 51 vjeç, banues në Tiranë, sipërmarrës i punimeve;
-L.H., 32 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik i firmës së ndërtimit.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas i kryenin ndërtimet në pallat, të papajisur me dokumentacionin e duhur. Gjithashtu, dyshohet se nuk kishin marrë masat për sigurimin e rregullave të mbrojtjes në punë, dhe si pasojë ka rënë aksidentalisht, nga lartësia e pallatit, gjatë procesit të punës, shtetasi E. F.. Më tej, në vijim të veprimeve procedurale për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Punësimi i paligjshëm”, për shtetasin H. H., 44 vjeç, banues në Lezhë, punëtor i firmës së ndërtimit.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”. /ZOOM.AL/