zoom

Ekonomi

Qeveria zëvendëson shqiptarët me të huajt. Zbardhen negociatat për të punësuar 40 mijë persona

Për t’i dhënë zgjidhje krizës për fuqi punëtore që po përjeton biznesi vendas, qeveria ka vendosur të ndërhyjë duke sjellë punonjës të huaj në Shqipëri.

Pa shpjeguar se me cilin shtet po negocion Shqipëria, Albin Gega, drejtor i punësimit në Ministrinë e Ekonomisë, sqaroi se te huajt kërkohen kryesisht për sektorin e turizmit dhe për fasonerinë.

Mësohet se negociatat po bëhen për një numër prej 40 mijë punonjësish.

“Jemi në përfundim të një kontrate me një shtet që ka punëtorë shumë të kuaklifikuar në sektorin e turizmit dhe manifakturën. Shumë shpejt do të bëhet lidhja e kësaj kontrate dhe shumë shpejt do të kemi punonjës të kualifikuatr në Shqipëri, që veç punonjësve tanë, do të plotësojnë kërkesat e biznesit për krah të kualifikuar pune”, tha Albin Gega, drejtor i Punësimit dhe Arsimit Profesional në Ministrinë e Ekonomisë.

Veç punëtorëve të huaj, biznesi fason shprehet se po bashkëpunon me shkollat profesionale për të plotësuar vendet vakante.

“Në fokus kemi trajnimin dhe aftësimin profesional të punonjësve që kemi, por edhe bashkëpunim me shkollat profesionale. Është një zinxhir prodhues”, tha Edvin Prençe, nga shoqata “Pro-Eksport”.

Në vitet e fundit, biznesi vendas ka eksperimentuar duke punësuar punonjës nga vende si Bangladeshi, Nepali, etj. por kjo nuk rezultoi zgjidhje sepse ata e përdornin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE.