zoom

Lajme

Pas padisë nga qeveria e SHBA-ve, kompania “Apple” bën disa ndryshime në pajisjet teknologjike

SHBA-të kanë ngritur një padi kundër kompanisë Apple, me synimin për të rritur konkurrencën e iPhone dhe për t’u dhënë një shtysë kompanive më të vogla.

Në padinë 2.7 trilionë dollarëshe, SHBA-ja argumenton se prodhuesi i iPhone ka dëmtuar rivalët më të vegjël dhe ka rritur çmimet. Por, sipas Apple, padia kërcënon kompaninë dhe parimet që i veçojnë produktet e saj në një treg konkurrues, raporton “Reuters”.

Bëhet e ditur se në Evropë konsumatorët kanë përfituar nga një sërë rregullash të cilat e detyruan gjigantin teknologjik të bënte ndryshime në telefonin e saj të njohur. Disa prej fushave ku Apple ka ndryshuar produktet e saj janë:

Kabllot karikuese

Kalimi në karikuesin USB-C i cili është standard për pajisjet Android. Ky hap vjen pasi në vitin 2022 BE-ja miratoi një ligj që e bën portin e karikimit standard të detyrueshëm në të gjithë bllokun deri në fund të vitit 2024.

App Store

Rregullat e reja në Evropë kanë krijuar alternativa të ndryshme që do të thotë se përdoruesit do të mund të shkarkojnë aplikacione edhe nga burime rivale duke përfshirë faqet e internetit. Kjo i lejon ata të shmangin tarifën prej 30 për qind të kompanisë.

Kryerja e pagesave përmes faqeve të internetit

Si në BE ashtu edhe në SHBA, zhvilluesit e aplikacioneve mund t’i drejtojnë përdoruesit në faqet e tyre të internetit për të blerë artikuj, në vend që të përdorin sistemin e blerjeve brenda aplikacionit të Apple. Ndryshimi u bë në përputhje me Aktin e Tregjeve Dixhitale.

Shfletuesit

Një tjetër ndryshim në përputhje me Aktin e Tregjeve Dixhitale ka të bëjë me shfletuesit e internetit. Safari ka qenë shfletuesi i paracaktuar i iPhone që nga prezantimi i produktit. Ndërsa përdoruesit e iPhone tashmë mund të ndryshojnë parazgjedhjen e tyre duke kaluar në Chrome ose Opera, atyre do t’u jepet automatikisht zgjedhja për të kaluar kur e hapin Safarin. /ZOOM.AL/