zoom

Aktualitet

Shkrimet e mediave greke për dënimin e gjyqtares Irena Gjoka, Prokuroria nis verifikimet në KLGJ

Prokuroria e Përgjithshme është vënë menjëherë në lëvizje, pasi mediat greke kanë shkruar se gjyqtarja Irena Gjoka është dënuar në vendin fqinj për falsifikim dokumentesh.

Ishte gazeta “Protothema” që publikoi vendimin edhe në numrin e datës 4 maj, teksa edhe mediat shqiptare e publikuan.

Prokuroria njoftohet se i ka nisur KLGJ-së kërkesë për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka. Kërkesa është dërguar që më 19 prill 2024. Në përgjigje, KLGJ i ka vënë në dispozicion të gjitha dokumentacionin e Gjokës, përfshirë dhe formularin e vetëdeklarimit, për të verifikuar nëse ka falsifikim apo mosdeklarim.

Irena Gjoka, e cila është aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është vendosur sërish në qendër të mediave greke, teksa akuzohet për falsifikim dokumentesh.

Këto akuza vijnë pas vendimit për dënimin me 2 vite burgim të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, për korrupsion me votat në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Gjithashtu Gjoka ka dhënë edhe masën “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha, për dosjen e “Kompleksit Partizani”, vendim që edhe sot pas katër muajsh është në fuqi. /ZOOM.AL/