Aplikacion
Klodian Zhivani tregoi për “Top Story” se kërkimet për trupat e Alma Bushatit dhe fëmijës 3 vjeç janë ndërprerë për momentin për të vijuar nesër në mëngjes, ndërsa të pajetë prej lumit Buna u nxorën dy fëmijët 8 dhe 9 vjeç.
Ai tregoi se kërkimet për ta mund të vijojnë për ditë të tëra, ndërsa zbuloi se historia ka treguar se në raste të tilla, trupat shfaqen në Velipojë ose Ulqin.
“Njëri nga grupet është përqendruar pranë Urës së Bunës. Kërkimet në Malin e Zi priten të nisin nga mëngjesi i ditës së nesërme. Sipas peshkatarëve trupi vonon disa jave të dalin në sipërfaqe. Polumbarët po bëjnë maksimumin duke zhvilluar kërkimet por ata që e njohin më mirë lumin Buna janë banorët e zonës. Ka ndodhur në të kaluarën që ata që janë mbytur këtu kanë dalë në Velipojë apo Ulqin.
Asnjëra nga familjet nuk janë parë në afërsi të polumbarëve për të gjetur trupat. Në dhimbjen e tyre nuk kanë dashur të vijnë këtu dhe të përballen”, raportoi gazetari Klodian Zhivani.
Deri tani për në banesën e fundit është përcjellë vetëm 9-vjeçarja. Në ceremoninë e saj, sipas gazetares Dorjana Bezat, dalloheshin shokët e babait, por të paktë ishin familjarët.
“Ishte një shtëpi që të ndërtohej dhe ishte lënë në mes, jetonin në katin e parë, ishte shtëpi modeste, ajo që më bëri përshtypje ishte se të voglën 9-vjeçaren po e përcillnin shokët e babait, nuk kishte familjarë. U gjet një natë më parë dhe trupi iu dorëzua familjarëve, i vetmi që po kujdesej ishte xhaxhai i saj, një personazh me dritëhije në Shkodër. Ashpërsia tek ai ishte e dukshme, fillimisht ishte aspak miqësor me grupin e xhiriimit, munda ta bind të rrëfejë diçka, edhe ai e kishte të paimagjinueshme, nuk e imagjinonte që do të shkonte deri këtu”, tha Dorjana Bezat në “Top Story”.