zoom

Aktualitet

Moti i keq/ Përmbytet “Rruga e Arbrit” në Bulqizë, pritet dhe intensifikimi i reshjeve të shiut

Moti i keq ka përfshirë edhe Shqipërinë prej disa ditësh, me reshje dëbore në malësi, stuhi shiu dhe breshëri në zonat e ulëta.

Edhe dita e sotme raportohet me reshje pothuajse në gjithë vendin, duke shkaktuar përmbytje në disa rrethe e rrugë, si dhe problematika me energjinë elektrike dhe qarkullimin rrugor.

Reshjet e shiut të nisura që në orët e para të ditës së sotme kanë krijuar probleme në lëvizjen e mjeteve edhe në “Rrugën e Arbrit”, në Bulqizë.

Vërshimi i ujit ka përmbytur urën e Gjoricës, në afërsi të urës së Çerenecit. Drejtuesit e mjeteve janë përballur në befasi me praninë e ujit, ndërsa shkak dyshohet të jetë mosfunksionimi si duhet i hapsirave të kullimit.

Ndërkohë në by-pasin e Murrizit ka rënie të vazhdueshme të gurëve, por që nuk janë bërë shkak për bllokimin total të qarkullimit të automjeteve.

Nga ana tjetër strukturat e mbrojtjes civile në Qarkun Dibër ju bëjnë apel banorëve që të njoftojnë për çdo problematikë që mund të shfaqet gjatë orëve në vijim, teksa pritet rritja e intensitetit të reshjeve të shiut. /ZOOM.AL/