zoom

Bota

“TikTok Lite mund të krijojë varësi”: Evropa po shkon drejt ndalimit të aplikacionit

Komisioni Evropian po kërcënon të pezullojë nga e enjtja disa funksione të aplikacionit TikTok Lite, i lançuar në Francë dhe Spanjë për të inkurajuar përdoruesit të kalojnë më shumë kohë në platformë duke përdorur një sistem shpërblimesh.

Brukseli është i shqetësuar për “rreziqet e dëmtimit serioz të shëndetit mendor të përdoruesve”, përfshirë të miturit, që rrjedhin nga programi i shpërblimeve që mund të shkaktojnë “varësi”. Nisma ligjore e BE-së u hap në bazë të Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA).

Komisioni Evropian ka frikë se programi i aktiviteteve dhe shpërblimeve i promovuar nga TikTok Lite, i cili u lejon përdoruesve të fitojnë pikë duke kryer disa aktivitete në rrjetin social në pronësi të Bytedance kineze, të tilla si shikimi i videove, pëlqimi i përmbajtjes, ndjekja e krijuesve,  u lançua “pa një vlerësim paraprak të rreziqeve që sjell, veçanërisht ato që lidhen me efektin e varësisë nga platforma, dhe pa marrë masa efektive për zbutjen e rrezikut”.

Rreziqet të cilat, paralajmëroi ekzekutivi i BE-së, janë “veçanërisht shqetësuese për fëmijët, duke pasur parasysh mungesën e dyshuar të mekanizmave efektivë të verifikimit të moshës në TikTok”, një boshllëk tashmë objekt i një procedimi të parë zyrtar kundër rrjetit social kinez të hapur në shkurt.

Brukseli tani do të kryejë hetimin e tij të thellë si çështje prioritare. Nëse vërtetohet, mospërputhja e platformës do të përbënte shkelje të neneve 34 dhe 35 të Aktit të Shërbimeve Dixhitale. Përballë rreziqeve të mundshme, Brukseli ka njoftuar synimin e tij për të pezulluar programin e shpërblimeve TikTok Lite në BE, në pritje të një vlerësimi të sigurisë së tij.

Përpara ndalimit, TikTok ka afat deri të mërkurën më 24 prill për të paraqitur argumentet në mbrojtje të tij, të cilat Komisioni do t’i vlerësojë me kujdes.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian i kishte kërkuar tashmë kompanisë kineze që të jepte një raport deri më 18 prill mbi vlerësimin e rrezikut për TikTok Lite dhe mbi masat e vendosura për të zbutur ndikimin e tij. Megjithatë, TikTok nuk ka ofruar asnjë dokument dhe tani ka kohë deri më 23 prill për të dorëzuar informacionin e kërkuar dhe deri më 3 maj për të dhënë detaje shtesë. Pa asnjë përgjigje brenda afateve të përcaktuara, platforma rrezikon të përballet me sanksione të rënda.

“Ne dyshojmë se funksioni ‘programi i shpërblimeve’ i TikTokLite është toksik dhe i varur, veçanërisht për fëmijët, nëse TikTok nuk ofron prova bindëse për sigurinë, gjë që deri më tani nuk ka arritur, ne jemi të gatshëm të zbatojmë dispozitat e masave, duke përfshirë pezullimin e programit”, shkroi komisioneri i BE-së, Thierry Breton në X pas njoftimit për hapjen e hetimit nga Komisioni Evropian kundër platformës kineze.