zoom

Lajme

“Tesla” kërkon që t’i japë shefit të saj Musk marrëveshjen rekord 56 mld dollarë

Kompania “Tesla” po kërkon sërish t’i japë shefit Elon Musk marrëveshjen më të madhe të pagave në historinë e korporatave amerikane, me vlerë 56 miliardë dollarë, shkruan BBC.

Kompania e automjeteve elektrike (EV) po u kërkon aksionarëve të votojnë për pagën rekorde të CEO-t të saj, të vendosur për vitin 2018. Megjithatë, marrëveshja u refuzua në janar nga një gjykatës amerikan i cili e përshkroi atë si “një shumë të pamatur”.

Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Musk njoftoi planet për të shkurtuar më shumë se 10% të fuqisë së tij punëtore globale. Në një shënim dërguar stafit Musk tha se nuk kishte asgjë që ai urrente më shumë, “por duhet bërë”.

Tashmë dëmshpërblimi i tij është në qendër të vëmendjes, ndonëse kompensimi i propozuar nuk përfshin as pagë, as bonus. Në vend të kësaj, marrëveshja e vitit 2018 paraqiste shpërblime të bazuara në rritjen e vlerës së tregut të “Teslës” në 650 miliardë dollarë gjatë 10 viteve.

Sipas të dhënave, aksionet e kompanisë së automjeteve elektrike tani vlerësohen në 500,36 miliardë dollarë. Në kohën e vendimit të saj, gjyqtarja me bazë në Delaware, Kathaleen McCormick tha se marrëveshja e pagave ishte e padrejtë për aksionerët.

Vendimi zemëroi Musk, i cili më pas kërcënoi se do të zhvendoste selinë e “Teslës” nga Delaware në Teksas. /ZOOM.AL/