zoom

Aktualitet

Prokurori Bardhok Lleshi shumëfishoi gjatë detyrës pasuritë e krijuara me burime të paprovuara

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 15 janar 2021 të shkarkojë nga detyra prokuroin e lezhës, Bardhok Lleshi, duke konkluduar se nga vlerësimi në tërësi i gjithë pasurisë që ai zotëron, kishte cënuar besimin e publikut tek tek sistemi i drejtësisë.

Komisioni konstaton mungesë burimesh për justifikimin e pasurive të krijuara para dhe pas fillimit të detyrës në vlerën totale 19 milionë e 337 mijë lekë dhe ngre dyshime se ai ka kryer deklarime të rreme dhe fshehje të pasurive për të cilat pretendon se janë në pronësi të familjarëve, edhe pse figurojnë në emrin e tij.

“Për më tepër që gjatë hetimit nga Komisioni ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit i ka shumëfishuar disa herë pasuritë e tij gjatë ushtrimit të detyrës, origjina e të cilave mbetet e paprovuar dhe e përfituar në shkelje të detyrimeve ligjore,” shprehet trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen.

Bardhok Lleshi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2009, Lleshi u transferua në Prokurorinë e Lezhës ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

Në vitin 2014, Lleshi u kallëzua penalisht nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit për fshehje pasurie në vlera të mëdha dhe mosdeklarim të pasurive, por çështja u pushua nga prokuroria.

Pasuritë para fillimit të detyrës

Si burim krijimi të pasurive para fillimit të detyrës, prokurori Lleshi ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga puna në emigracion në shtetin grek gjatë periudhës 1991-1996, por nuk ka depozituar dokumentacion provues.

Komisioni vëren mospërputhje në deklarimet e Lleshit për blerjen e një pasurie tokë arë me sipërfaqe 8 mijë e 320 m2 në Dritas të Tiranës për shumë 832 mijë lekë dhe mosdeklarimin të bllokimit si kolateral të kësaj prone në prill 2010-ës për shumën 70 mijë euro dhe në nëntor të vitit 2011 për vlerën 5 milionë lekë.

Sipas trupit gjykues, nisur nga marrëdhënia kontraktuale me bankën për vendosjen e kësaj prone si kolateral, duket se subjekti e ka fshehur vlerën reale të kësaj pasurie në deklaratën veting, pasi rezulton të jetë shumë herë më e lartë nga ajo e deklaruar.

Gjithashtu, KPK arrin në përfundimin se ai nuk arriti të provojë krijimin e kësaj pasurie me të ardhura nga burime të ligjshme, pasi nuk ka provuar me dokumentacion të ardhurat nga emigracioni.

KPK konkludon se prokurori Lleshi ka mungesë burimesh të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të rremë edhe për një apartament me sipërfaqe 124.1 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2003 kundrejt vlerës 60 mijë euro dhe të regjistruar sipas kontratës së shitblerjes në nëntor të 2012-ës.

Lleshi ka deklaruar se pagesa e çmimit të kësaj pasurie është kryer me dy këste, i pari në vlerën 25 mijë euro me burim të ardhurat nga emigracioni dhe pjesa tjetër kredi.

Ai ka deklaruar se të ardhurat për shlyerjen e kredisë nga viti 2006 deri në vitin 2009 kanë si burim të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes, si dhe nga një bar-kafe që e ka administruar sipas një prokurore të posaçme të vitit 2004 të lëshuar nga vëllai F.Ll..

Subjekti ka shpjeguar se pagesa e kësteve është bërë nga familjarët e tij të cilët kanë menaxhuar punën në këtë lokal, ndërsa pas vitit 2010, kur vëllai F. Ll. është larguar nga certifikata familjare, pagesa e kredisë është marrë përsipër nga një shoqëri ndërtuese në pronësi të vëllait tjetër S.M, në këmbim të tokës 1200 m2 në fshatin Bërxull, ku do të ndërtohej një objekt.

Në këtë kontratën e sipërmarrjes të vitit 2010 përcaktohej se me përfundimin e dorëzimit të objektit, Lleshit i hiqet e drejta e pronësisë mbi tokën, ndërsa shoqëria merrte përsipër të likuidonte tërësisht pjesën e mbetur të kredisë.

Sipas KPK, subjekti nuk ka provuar se kredia bankare në “Emporiki Bank” sh.a.,ka shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë dhe vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasurinë.

“Zotërues i pasurive të vëllait”

Për dy pasuri të tjera tokë arë, një me sipërfaqe 11 mijë e 500 m2 me vlerë të deklaruar 1 milion e 150 mijë lekë dhe tjetra 5 mijë e 120 m2 me vlerë 512 mijë lekë, të regjistruara në emër të prokurorit Lleshi në shkurt të vitit 2002, subjekti ka deklaruar se blerja e tyre faktike ka ndodhur në vitin 1998 dhe se janë financuar prej vëllait F.Ll., nga të ardhurat e këtij të fundit nga emigracioni në SHBA dhe Kanada.

Prokurori Lleshi ka pretenduar se këto pasuri janë regjistruar në emrin e tij, pasi në atë kohë vëllai ka qenë në njëjtën certifikatë familjare dhe nuk ndodhej në Shqipëri.

I pyetur se përse këto prona vazhdojnë të jenë në emër të tij, Lleshi ka deklaruar se kalimi i pronësisë është diskrecion i të vëllait dhe në momentin që ai do ta kërkojë, do të realizohet.

Komisioni konkludon se subjekti nuk arrin të provojë në mënyrë bindëse se këto dy pasuri janë në të vërtetë në pronësi të vëllait dhe as faktin e blerjes të tyre me të ardhurat e tij.

Në vendim thuhet se Lleshi nuk ka pasqyruar në deklaratën veting një pasuri të llojit truall ndërtimi me sipërfaqe 7 mijë 210 m2 në Lezhë, që e ka shënuar në deklaratën fillestare të vitit 2004, kur ka sqaruar se ai vetë nuk ka pasur pjesë takuese, por ishte blerë nga vëllai i tij F.Ll.. Lleshi ka deklaruar se kjo pronë është blerë në korrik të vitit 2002 në vlerën 3.9 milionë lekë.

Nga hetimi rezulton se trualli është shitur në shkurt të vitit 2005 nga prokurori Bardhok Lleshi në cilësinë e palës shitëse, me palë blerëse vëllanë e tij F.Ll., i përfaqësuar me prokurë nga vetë subjekti i rivlerësimit.

Komisioni vëren se prokurori Lleshi nuk arriti të provojë se përse kontrata e shitjes së truallit nuk u firmos në kohën kur vëllai ka realizuar veprime për regjistrimin e një aktiviteti tregtar po atë vit, kur ai ka qëndruruar në Shqipëri për rreth 3 muaj.

Nga hetimi ka rezultuar se prokurori Lleshi zotëron një dyqan me sipërfaqe 86 m2 në Tiranë, pasuri që nuk e ka pasqyruar as në vitin 2004 dhe as në deklaratën veting.

Subjekti ka shpjeguar se lokali i blerë në vitin 2002 është financuar nga vëllai i tij F. Ll.. Ashtu si në rastin e dy ngastrave të tokës, Lleshi ka pretenduar se pasuria është regjistruar në emrin e tij, pasi në atë kohë vëllai nuk ndodhej në Shqipëri dhe se figuronin në njëjtën certifikatë familjare.

Trupi gjykues i Komisionit vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk mundi të provojë mundësitë financiare për krijimin e kësaj pasurie dhe se ajo i përket vëllait të tij.

“Lidhur me përdorimin nga subjekti i rivlerësimit të kësaj pasurie, si dhe deklarimit mbi të ardhura të përfituara prej tij nga menaxhimi i këtij aktiviteti duke marrë fitimin, mbetën të paprovuara dhe tërësisht informale”, konstaton KPK.

Komisioni vëren se kjo pasuri gjendet në të njëjtin pallat ku ndodhet edhe banesa e subjektit të rivlerësimit dhe arrin në konkluzionin se Lleshi gjatë ushtrimit të detyrës së prokurorit ka menaxhuar një aktivitet tregtar për të cilin nuk ështe deklaruar me transparencë marrëdhënia e tij dhe mënyra e përfitimit të të ardhurave të deklaruara.

“[…]duke e vendosur subjektin e rivlerësimit në kushte të tilla që ngrenë dyshime të arsyeshme se kjo është një pasuri e fshehur e tij ose së paku aktiviteti tregtar nga i cili ai ka përfituar të ardhura është një veprimtari e subjektit të rivlerësimit për të cilën ai ka bërë deklarim të rremë dhe për të cilën janë përfituar të ardhura[…]” vlerëson Komisioni.

Shumëfishimi i pasurive gjatë detyrës

Nga hetimi adminsitrativ ka rezultuar se prokurori Lleshi, nga nënshkrimi i kontratës së shkëmbimit të pasurisë tokë arë me sipërfaqe 1200 m2 në Bërxull me vëllanë e tij S.M. në vitin 2015, nuk ka përfituar vetëm shlyerjen e pjesës së mbetur të kredisë që ishte dakordësuar në marrëveshjen fillestare, por edhe një bodrum në objektin e ndërtuar, me sipërfaqe 600 m2 dhe me vlerë totale 30 milionë e 900 mijë lekë.

I pyetur nga Komisioni, Lleshi ka shpjeguar se nuk ishte i kënaqur vetëm me pagesën e kredisë dhe kërkoi që për tokën e vënë në dispozicion të përfitojë edhe sipërfaqen 600 m2, gjë të cilën sipas tij, shoqëria ndërtuese e pranoi.

Ndërkohë, gjatë hetimit ka rezultuar se pasuria arë me sipërfaqe 1200 m2 ka shërbyer edhe për një hua në vlerën 150 mijë euro që prokurori Lleshi ka marrë në prill të vitit 2005 nga shtetasi L.N.., fakt që nuk është pasqyruar në deklaratën periodike.

Lleshi ka deklaruar se shtetasi L. N. ka pasur si qëllim të blinte pronën dhe kontrata është përpiluar për t’u siguruar se nuk do ta blinte ndonjë person tjetër për një periudhë kohe prej një muaji, kohë gjatë së cilës ai do të siguronte shumën e parave. Ai ka shtuar se pas një muaji L.N. nuk e ka siguruar dot shumën dhe për këtë arsye kanë përpiluar një deklaratë me shkrim për anulimin e kësaj kontrate dhe se huaja 150 mijë euro nuk është marrë asnjëherë prej tij.

Komisioni konstaton se Lleshi ka regjistruar një procedim penal të vitit 2013, me kallëzues shtetasin L. N., me cilësinë e administratorit të një shoqërie dhe konsideron se subjekti në këtë rast është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit.

Prokurori Lleshi ka pasqyruar në deklaratën veting disa kontrata qiraje të lidhura me subjekte të ndryshme për sipërfaqen e tokës 1200 m2, si dhe krijimin e të ardhurave. Në një rast kontrata e qirasë është realizuar 9 muaj pas nënshkrimit të kontratës së shkëmbimit të pasurisë, duke sjellë përfitime për subjektin edhe kur kjo pronë nuk ishte më e tij. Komisioni ngre dyshime se kontratat e qirasë janë fiktive.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se Lleshi nuk ka paguar tagimet përkatëse për përfitimet nga qiraja. “Veprimet e kryera nga subjekti i rivlerësimit në shtimin e pasurive të tij, duket se kryhen në forma të tilla që shmangin tërësisht pagimin e tatimeve për vlerat e super shtuara të pasurisë së tij gjatë ushtrimit të funksionit të prokurorit”, konstaton komisioni.

Në vitin 2010 Lleshi ka shitur një autoveturë tip “Mercedes Benz” në shumën 11 mijë euro, të cilën e kishte blerë në vitin 2004 për çmimin 5000 euro. KPK vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të rremë për këtë pasuri dhe se ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për blerjen e saj.

Prokuror dhe aksioner

Në vendim thuhet se prokurori Lleshi ka qenë aksioner në një shoqëri duke zotëruar 60% të kuotave të blera në vlerën 60 mijë lekë, me burim të ardhurat nga emigracioni. Ndërsa bashkëshortja e tij ka zotëruar 40% të kuotave të blera në shumën 40 mijë lekë, me burim të ardhurat nga puna në mësimdhënie pranë Universitetit të Tiranës.

I pyetur nga Komisioni, subjekti ka shpjeguar se në kohën kur ka blerë aksionet, shoqëria nuk ka pasur asnjë pasuri të regjistruar dhe vlera e kapitaleve ka qenë 100 mijë lekë. Ai ka shtuar se fitimet e saj janë riinvestuar në shoqëri dhe nuk ka pasur dividend të shpërndarë.

Në vitin 2015, rezulton të këtë ndryshuar statusi i ortakëve të shoqërisë, ku është caktuar z. E. L. zotërues aktiv i kuotave në cilësinë e personit të besuar të secilit prej ortakëve Bardhok Lleshi dhe bashkëshortes së tij A. P., ndërsa këta dy të fundit si zotërues pasiv të kuotave.

KPK evidenton se pavarësisht kësaj marrëveshjeje, prokurori Lleshi dhe bashkëshortja e tij vazhdojnë të gëzojnë të drejtën e përfitimit të fryteve të pronësisë që gëzojnë mbi kuotat në shoqëri.

“Pjesëmarrja e subjektit të rivlerësimit në një shoqëri tregtare, megjithëse në statusin e tij pasiv, e cila për nga qarkullimi vjetor duket se ka pasur aktivitet të mirë tregtar gjatë ushtrimit prej tij të detyrës së prokurorit, ndërthurja dhe bashkëveprimi i tij në veprimtaritë tregtare të vëllezërve, duket se ka për qëllim ndikimin ndoshta edhe në dukje të figurës së tij si prokuror në veprimtarinë tregtare fitimprurëse të vëllezërve të tij, duke cenuar me veprimet e tij indirekte besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, vlerëson KPK.

“Pasuritë e krijuara me një burim financiar të deklaruar nga emigracioni, por të paprovuar, duket se gjatë ushtrimit të detyrës së prokurorit janë shtuar dhe shumëfishuar duke e rivlerësuar pasurinë e subjektit në vlera të cilat duket se kanë karakter tregtar dhe se nuk shkojnë përshtat me një funksionar të sistemit të drejtësisë”, vijon trupi gjykues.

Komisioni ngre dyshime se kjo shoqëri e zotëruar nga subjekti ka nënshkruar kontrata formale me një shoqëri tjetër. “Nga verifikimet në internet duket se këto dy shoqëri (“***” dhe “***”) veprojnë dhe kanë të njëjtin aktivitet/qëllim. Objektet e ndërtimit dhe projektet e investuara përfshirë edhe koncensionet për pasuri publike duket se janë projekte të të dyja shoqërive”, citohet në vendim.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar kuotat e tij dhe të bashkëshortes në një shoqëri tjetër tregtare të regjistruar në vitin 2002, me objekt “Ndërtime civile dhe ekonomike, restaurime, prodhime materiale ndërtimi, etj.”.

Sipas KPK, duke mos deklaruar këtë pasuri, subjekti i është shmangur njëkohësisht edhe kontrollit edhe verifikimit të ligjshmërisë së veprimeve të kryera prej tij, si dhe të vetë shoqërisë tregtare.

“[…]në një vlerësim tërësor që i bëhet të gjitha pasurive të subjektit të rivlerësimit konstatohen pasaktësi të qëllimshme në deklarimet periodike vjetore, si dhe marrëveshje tregtare të kryera prej tij ndër vite, të cilat përveçse nuk janë pasqyruar me transparencë e krijojnë hije dyshimi, duket se kanë shumëfishuar pasuritë e subjektit të rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si prokuror duke krijuar kështu pasuri të vëna gjatë detyrës në vlera të konsiderueshme dhe pa një dokumentacion ligjor mbështetës mbi ligjshmërinë e tyre”, konkludon Komisioni.

Nga analiza financiare e kryer prej KPK për periudhën 2004-2016 ka rezultuar një balancë negative në vlerën 8 milionë e 152 mijë lekë dhe para vitit 2004 ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e pasurive në shumën 11 milionë e 185 mijë lekë.-Edmond Hoxhaj – BIRN