Aplikacion
Media shtetërore raportoi të premten se sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit u aktivizuan në disa lokacione, pasi u dëgjuan shpërthime pranë aeroportit dhe një baze ushtarake në provincën e Isfahanit. “Tre shpërthime u dëgjuan pranë një baze ushtarake ku ndodhen avionët luftarakë në veriperëndim të Isfahanit”, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve FARS e Iranit.
Pas sulmit, media iraniane raportoi se të gjitha objektet përreth Isfahanit janë të sigurta, duke përfshirë objektet e rëndësishme bërthamore në zonë. Zëdhënësi i Qendrës Kombëtare të Hapësirës Kibernetike të Iranit, Hossein Dalirian, tha se mbrojtja ajrore rrëzoi tre drone dhe “nuk ka raportime për një sulm raketor tani për tani”.
Mbetet e paqartë se cili ishte objektivi i sulmit. Sipas FARS, një radar ushtarak ishte një objektiv i mundshëm. “Ghahjaëorstan, ku u dëgjua një shpërthim, ndodhet pranë aeroportit të Isfahanit dhe bazës së tetë të gjuetisë së Forcave Ajrore të Ushtrisë”, raportoi FARS.
Tensionet mbeten të larta në të gjithë Lindjen e Mesme ndërsa Izraeli vijon luftën në Gaza kundër grupit militant palestinez Hamas, një aleat iranian. Ndërkohë, një “konflikt hije” prej dekadash midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu në fundjavë kur Irani nisi një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit që Teherani tha se ishte hakmarrje për një sulm ajror të dyshuar vdekjeprurës izraelit në konsullatën e Iranit në Siri.
Raportet për shpërthimet erdhën disa orë pasi Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian i tha CNN se nëse Izraeli ndërmerr ndonjë veprim të mëtejshëm ushtarak kundër Iranit, përgjigja e tij do të ishte “e menjëhershme dhe në një nivel maksimal”.
“Nëse regjimi izraelit kryen edhe një herë gabimin e rëndë, përgjigja jonë do të jetë vendimtare, përfundimtare dhe për të ardhur keq”, tha ai. /ZOOM.AL/
Berisha: Viktima Alfred Dedja, menaxher dhe dëshmitar në vendin ku u copëtua trupi i Jan Prengës