zoom

Lajme

Spiropali ironizon opozitën: Njëri majë pallatit, tjetri me delir madhështie! Bardhi: Babai juaj…

Ministrja Elisa Spiropali ka shënjestruar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PL, Ilir Meta, në fjalën e saj në Kuvend.

Ajo u shpreh se të dy këto politikanë, të cilët kanë qenë në poste si kryeministra dhe presidentë, përdorin ndaj Altin Dumanit dhe SPAK një gjuhë “të dalë nga binarët e mendjes”.

“A keni një opinion për dy baballarët në majë të thanës ku jeni ngjitur të tërë? Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe njëri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon kreun e SPAK në ekrane ku t’i dalë para. Bëni prokurorin e akuzatori këtu.

Gjuhën e dalë nga binarët e mendjes së dy baballarëve tuaj as nuk e përmendni, të dy presidentë të kësaj republike, kryeministra, bela të këtij populli, për të cilët ju nuk shpreheni e doni të bëni këtu sherr e rrëmujë e të na thoni çfarë opinioni keni për ulërimat e tyre, sepse nuk janë dy kokë dele por baballarë të opozitës tuaj. Na drejtoni gishtat për drejtësisë ju që jeni kokë e këmbë me vetëm dy gishtat lart.

Hani thana në pemët e tyre dhe t’i vilni votat në kopështin e popullit. Duke i mbajtur të dy ata mbi supe sic mbanin shërbëtorët mbretërit. Këtu vini e kërkoni sherr duke u përpjekur të mbani peng Kuvendin për hallin tuaj. Dilni thoni qartë SPAK për ju është organ i drejtësisë apo jo?”, tha ajo.

I menjëhershëm edhe reagimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, që i është përgjigjur ironisë së Spiropalit. Bardhi e ka cilësuar Ramën, si babain e saj.

“Ju foli ndërgjegjja juaj dhe e quajtët trafikant. Nëse do të kishin vijuar hetimet dhe nuk do të ishin mbyllur, kjo çështje nuk është hetuar. Ajo është çështje e hapur dhe do të duhet të hetohet nga SPAK. Babai jot Elisa, i të gjitha qëndrimeve, ka atë qëndrim, që kur goditet opozita nga SPKA thotë; fitore, por kur i sekuestrohen projektet e veta, thotë; kush jeni ju! Sa për dëlir madhështie, e kanë nga babai yt. E dëgjove si tha; më marrin çdo ditë liderët botërorë, ndaj nuk vjen dhe këtu, se i marrin mendim për hallet e mëdha që ka bota.

Por ai ka vetëm një hall, ato që i ka bërë këto 11 vite Shqipërisë. Për interesa korruptive të një ish-ministri, bashkëpunëtore e ngushtë e Ramës, grisët një vendim dhe e hodhët në kosh, e futët në kosh një institucion të ri të drejtësisë”, tha ai. /ZOOM.AL/