zoom

Bota

Rriten tensionet në Lindje, Irani bllokon anijen në ngushticën e Hormuzit. Izraeli: Do e paguani!

Pjesëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit kanë zbritur të shtunën prej helikopterit në një anije me mallra afër Ngushticës së Hormuzit, duke pretenduar se anija është “e lidhur me Izraelin”.

Izraeli, në anën tjetër, ka thënë se Irani do t’i paguajë pasojat e përshkallëzimit të tensioneve në Lindje të Mesme. Lindja e Mesme është shtrënguar nga mundësia e një hakmarrjeje eventuale iraniane, pasi për sulmin e 1 prillit në konsullatën iraniane në Siri, që i ka lënë të vdekur 12 persona, Irani mban përgjegjës Izraelin.

Në këtë sulm kanë mbetur të vrarë edhe figura të larta ushtarake iraniane. Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, Irna, ka thënë se forcat e njësitit special të Gardës e kanë kryer sulmin në anije. Disa media tjera e kanë identifikuar anijen si të lidhur me kompaninë me bazë në Londër, Zodiac Maritime.

Zodiac Maritime është pjesë e Grupit Zodiac të miliarderit izraelit, Eyal Ofer. Një zyrtar i mbrojtjes në Lindje të Mesme, që ka folur në kushte anonime, e ka ndarë me agjencinë e lajmeve Associated Press një video kur komandot iraniane shihen duke u ulur në kontejnerët e anijes.

Helikopteri i përdorur besohet se është i periudhës sovjetike Mil Mi-17, të cilin e kanë përdorur në të kaluarën si Garda Revolucionare e Iranit, ashtu edhe rebelët Huthi të Jemenit, për të kryer bastisje nëpër anije. Ushtria britanike ka thënë se anija është “konfiskuar prej autoriteteve rajonale” në Gjirin e Omanit, pa dhënë më shumë hollësi.

Anija ka qenë për herë të fundit në Dubai dhe është nisur më pas drejt Ngushticës së Hormuzit. Anija i ka bllokuar të gjitha të dhënat e veta për vëzhgim lëvizjesh, një veprim tashmë i zakonshëm për anijet e lidhura me Izraelin, që kalojnë nëpër atë rajon. Prej vitit 2019, Irani është përfshirë në një mori rastesh të konfiskimit të anijeve.

Gjiri i Omanit është afër Ngushticës së Hormuzit, e cila mundëson hyrjen në Gjirin Persik, nëpër të cilin kalon një e pesta e gjithë naftës së tregtuar në botë./REL/