zoom

Aktualitet

The Guardian: Emigrantët shqiptarë po mbahen në burgje

Shqiptarët që dolën vullnetarë për t’u riatdhesuar në bazë të një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Britanisë për deportim të shpejtë, po mbahen për disa javë në Britani, pa të drejtë.

Sipas një vëzhgimi nga Kryeinspektori i burgjeve, u zbulua se emigrantët shqiptarë mbahen të izoluar dhe gjithashtu stafi nuk kishte dijeni për problemet shëndetësore të të paraburgosurve që mbaheshin në qendrat e dëbimit përpara se të silleshin në Tiranë, madje disave nuk u jepej privatësi as gjatë përdorimit të tualetit.

Ministria e Brendshme britanike nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë në dhjetor 2022 për të përshpejtuar largimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht.

Kjo pasoi një rritje të numrit të shqiptarëve që kalojnë Kanalin. Në vitin 2022, ata përbënin më shumë se një të katërtën e 45,774 personave që arritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla.

Charlie Taylor, kryeinspektori i burgjeve, tha se inspektorët zbuluan se shumë të burgosur shqiptarë prisnin në paraburgim për disa javë, pavarësisht se ishin të gatshëm të depërtoheshin.

Gjetjet u bazuan në një inspektim në dhjetor që shqyrtoi largimin e 73 të arrestuarve shqiptarë që u dërguan nga Londra në Tiranë, 50 prej të cilëve po ktheheshin vullnetarisht.

Ata u transportuan me 129 persona staf shoqërues, dy ndihmësmjekë dhe dy përkthyes dhe udhëtuan nga qendrat e largimit të imigracionit (IRC) në Brook House, Colnbrook, Harmondsworth, Tinsley House dhe Yarl’s Wood, si dhe nga objekti rezidencial i mbajtjes afatshkurtër në Swinderby, në Lincolnshire.

Shumica e të arrestuarve u thanë inspektorëve se nuk ishin konsultuar me një avokat, pasi kishin zgjedhur një kthim vullnetar.

“Disa ishin të stresuar që u duhej të prisnin në paraburgim për më shumë se një muaj përpara se të organizohej një fluturim, pavarësisht se pranuan largimin në fazën më të hershme,” thuhet në raport.

Inspektorët zbuluan se informacioni rreth cenueshmërisë dhe rrezikut nuk u regjistrua në mënyrë konsistente dhe stafi që i shoqëronte nuk kishte dijeni të gjendjes së tyre.

“Stafi në përgjithësi nuk ishte në dijeni të gjendjes shëndetësore të emigrantëve. U bënë ankesa se të arrestuarit nuk lejoheshin të përdornin tualetin pa u vëzhguar, edhe pse nuk ishin të rrezikshëm”, shkruan inspektorët.

“Stafi mbante derën e tualetit hapur ndërkohë që një person ishte në tualet. Kjo i lejoi ata që ishin jashtë të shihnin lehtësisht brenda dhe ishte nënçmuese dhe e panevojshme, veçanërisht në dritën e faktit që një pjesë e madhe e të burgosurve po ktheheshin vullnetarisht,” thuhet në raport.

Rishi Sunak ka vlerësuar marrëveshjen e deportimit me Shqipërinë sipas së cilës mijëra janë kthyer.

Disa kriminelë shqiptarë gjithashtu janë liruar nga burgu një vit më herët dhe u jepen 1500 paund nëse pranojnë të deportohen./TheGuardian