Aplikacion
Gjatë operacionit janë sekuestruar 26.5 kilogramë kokainë dhe 11 kilogramë marihuanë. 3 prej anëtarëve të dyshuar të grupit kriminal janë arrestuar në Vlorë.
Gjatë operacionit të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u vunë në pranga Ladi Kalemaj, 52 vjeç, Floriant dhe Ledjon Muho, përkatësisht 38 vjeç dhe 33 vjeç.
Banda përbëhej nga trafikantë shqiptarë të cilët importonin çdo javë disa kilogramë drogë mes Gjermanisë dhe Italisë dhe ua shisnin bashkëkombësve të tyre.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Sammogia”.
Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.
Finalizimi i tij, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale/Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri.
Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.
Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.
Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.
Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.
Një vit nga vrasja e Liridona Ademajt! Çfarë dihet për krimin makabër, autorët ende pa aktakuzë