zoom

Aktualitet

Vrasja pas sherrit për një vajzë, Gjykata lë në burg 4 të arrestuarit. Dëshmitë dhe reagimet

Gjykata e Tiranës dha sot masat e sigurisë me dyer të mbyllura dhe ka lënë prapa hekurave 4 të rinjtë e akuzuar për vrasjen e 18-vjeçarit Aureljo Dervishi, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në zonën e Shkozës, në Tiranë.

Për një të pestë hetimet vijojnë në gjendje të lirë, teksa Prokuroria po investigon për motivet e krimit të rëndë. Për vrasjen dyshohet një 15-vjeçar, kurse shkak ka qenë grindja për një vajzë nga Shkoza, me të cilën viktima dhe shokët e tij gjendeshin në mjet.

Ata akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim. Gjatë seancës së sotme, ata nuk kanë folur para trupës gjykuese, teksa pjesa më e madhe janë 15-17 vjeç.

Ndërkaq, avokatët kanë kërkuar masë me afat 30 ditor, deri në sqarimin se kush e ka qëlluar me thikë 18-vjeçarin, goditje që i mori jetën, por kjo kërkesë është rrëzuar nga ana e trupës gjykuese.

Sipas avokatëve, ngjarja nuk ka qenë e paramenduar, por pas një debati të çastit, që ka përfunduar me vrasjen e Dervishit.

Gjatë dëshmisë që kanë dhënë në polici, të dyshuarit, mes tyre edhe një 25-vjeçar, kanë pretenduar se gjatë konfliktit viktima i ka qëlluar me levë. Shkak i sherri midis tyre ka qenë një vajzë. /ZOOM.AL/