zoom

Rajoni

Zgjedhjet në Maqedoni, kandidati Osmani: Integrim i shpejt në BE për të mbajtur larg rusët

Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, njëkohësisht kandidat i BDI për president, ka deklaruar se më shumë se kurrë më parë është koha për një dinamikë të re në integrimet europiane dhe euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, i cili u mbajt në selinë e Aleancës në Bruksel, ai tha se përshpejtimi i këtyre proceseve është kyç për t’iu kundërvënë synimeve ruse dhe për të konsoliduar stabilitetin e përgjithshëm.

“Rajoni ynë po bëhet gjithnjë e më shumë një fushë e garës gjeopolitike dhe Ballkani Perëndimor është në vijën e zjarrit të përplasjes së qytetërimeve mes Perëndimit dhe Lindjes.

Agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës ka treguar se arkitektura e sigurisë në Europë është dëmtuar, dhe siç e kam theksuar edhe në raste të tjera, Ukraina është vetëm ndalesa e parë e ambicieve imperialiste ruse. Pas Ukrainës, agresioni rus pritet të vazhdojë dhe ndalesa e radhës do të jenë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani. /ZOOM.AL/