zoom

Aktualitet

Dita e autizmit, zyrtarisht në Shqipëri 12 mijë persona pjesë e spektrit. Ende s’dihen shkaqet

2 prilli është dita botërore e autizmit.

Sipas të dhënave të  CDC, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, afërsisht 1 në 36 lindje diagnostikohet me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA së bashku.

Në vendin tonë nuk ka shifra të sakta dhe as regjistër zyrtar në lidhje me këtë çrregullim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë 26% e fëmijëve me aftësi ndryshe janë me autizëm. Ndërsa referuar klubeve të prindërve të fëmijëve më autizëm, në Shqipëri janë afro 12 mijë persona që vuajnë nga spektri autik.

Vetëm 2 mijë fëmijë marrin ndihmë sociale dhe pagesë kujdestarie. Por edhe  kjo është e pamjaftueshme, pasi personat me autizëm kanë nevojë për terapi të veçanta dhe të vazhdueshme, kostot e të cilave në vendin tonë  mbulohen privatisht nga familjet e tyre.

Ende nuk dihen shkaqet e sakta të shfaqjes së autizmit, por mjekët ndërthurin faktorët gjenetikë me ata mjedisorë dhe ndërlikimet gjatë shtatzënisë së nënës. Sipas studimeve djemtë janë 4 herë më të prekur se sa femrat.

Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë komunikimin, ndërveprimin social,  imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen para moshës tre vjeç dhe zgjasin gjithë jetën.