Aplikacion
Në të gjithë Gjermaninë pjesëmarrësit në marshimet tradicionale të Pashkëve edhe këtë vit duan të dërgojnë një sinjal për paqen dhe kundër luftës. Dita kryesore e marshimeve tradicionale është e shtuna e pashkëve, ku janë paralajmëruar rreth 70 marshime për paqen në Gjermani. Kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) me rastin e ditëve të Pashkëve e rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen gjermane për Ukrainën dhe e argumentoi atë me interesat gjermane të sigurisë.
Edhe zëvendëskancelari, Robert Habeck (Të Gjelbrit), ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), dhe kreu i partisë në opozitë, CDU, Friedrich Merz kanë publikuar mesazhe për Pashkët.
Scholz: Paqe pa liri do të thotë shtypje
Në një mesazh me video, kancelari, Olaf Scholz tha se “ne të gjithë e dëshirojmë një botë më paqësore”. Por paqja pa liri do të thotë shtypje. Paqe pa drejtësi nuk ka. “Prandaj ne e mbështesim Ukrainën në luftën e saj për një paqe të drejtë, për sa kohë që kjo do të jetë e nevojshme. Ne e bëjmë këtë edhe për ne, për sigurinë tonë.” Scholz akuzoi Rusinë nën presidentin Putin, se ka shkelur një parim të vlefshëm prej dekadash: që kufijtë nuk ndryshohen me dhunë.
“Por ne e kemi në dorë, ta ribëjmë të vlefshëm këtë parim. Duke e mbështetur Ukrainën edhe më tej, të vendosur e me maturi”.
Habeck: Gjermania duhet të mbrohet nga sulme ushtarake
Ndërsa zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck në një video të publikuar të enjten në mbrëmje në platformën X, tha se “ne e dëshirojmë paqen. Po. Por përgjigjja e hidhur dhe e vërtetë është: me gjasë nuk do të ketë fund të shpejtë e të mirë, edhe pse ne e dëshirojmë ndryshe”.
Në lidhje me agresionin rus, Habekc theksoi, se “duhet të përgatitemi për gjendjen e kërcënimit. Çdo gjë tjetër do të ishte naive.” Prandaj Gjermania do të bënte mirë të investonte më shumë në sigurinë e saj. “Ne, Gjermania, BE, ne duhet të mbrohemi tërësisht, edhe nga sulmet ushtarake”. /ZOOM.AL/