Aplikacion
Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Geer, pa koment. Thotë se nuk mund të komentojë hetime të OLAF-it, por mund të tregojë se sa para përmes ERASMUS PLUS për Maqedoninë do të ketë edhe në të ardhmen.
“Presim nga ana e Agjencisë nacionale për Erasmus+ këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë të dorëzojë dhe të plotësojë të gjithë rekomandimet që i janë dhënë nga ana e OLAF-it në këtë rast. Kuptohet se ne vazhdojmë të kemi besim në punën e Agjencisë për Erasmus+ që do të thotë se mbetemi të bindur se sasia e mjeteve financiare që janë përcaktuar për Erasmus+ nuk do të ulet, përkundrazi ne jemi të lumtur që të ndajmë me ju se Erasmus+ do të mbetet në zbatim dhe do të përfitojnë të rinjtë, nxënësit, studentët dhe universitetet në vendin tuaj”.
Në përputhje me raportin e OLAF, letrën e kanë marrë më 30 nëntor të vitit 2023 në postën elektronike dhe kërkohet që të gjitha mjetet e miratuara për grante të kthehen. Bëhet fjalë për grante të ndara në vitet 2016 dhe 2018.
“Me njoftim u informuam se ka disa informacione për parregullsi në lidhje me dosje për projektet e 22 përdoruesve të programit grant, erazmus, të financuar nga Komisioni Europian. Në përputhje me këtë lajmërim kërkohet kthim i mjeteve prej 2.276.212 euro”, tha Marko Gjorgjievski, drejtor i Agjencisë Nacionale.
Gjorgjievski tha se nuk mund të zbulojë më shumë detaje për shkak se lënda është në procedurë parahetimore në Prokurorinë për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit.
Për “Fokus” foli edhe Lidija Dimova. Ish-drejtoresha e Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore, e cila në 2020 u shkarkua, mori kallëzim penal për keqpërdorim të mjeteve në vlerë prej 400.000 eurove para europiane. Dimova thotë se ish-kryeministri Zoran Zaev i ka ushtruar presion që ta tërheqë kallëzimin që e ka dorëzuar për mashtrim me 2,2 milionë euro para europiane.
“Në prill 2020, nga qeveria mora “selam” me listë të projekteve që duhej t’i “lëshoja”. Në qershor 2020, kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev, në prezencë të Nola Ismajloskës – prej meje kërkuan që ta tërheq kallëzimin penal. Në tetor u shkarkova për shkak të “sjelljes joetike” (pyesni Lupço Nikollovskin se çfarë do të thotë ajo), ndërsa në korrik 2021, Nola u emërua për koordinatore rajonale për BE, kuptohet pasi votoi për ndryshimin e emrit të shtetit”.
Dimova njëkohësisht tha se në 2019 ka dorëzuar kallëzim penal për keqpërdorimin e parave europiane, personalisht deri te prokurori i atëhershëm Lubomir Joveski dhe e ka ngrirë pagesën e të gjitha mjeteve. Në favor të Dimovës është që Brukseli kishte njohuri për këtë rast derisa te ne kanë zhdukur dokumente dhe përsëri paraqiteshin, OLAF kanë punuar, transmetoi “Fokus”.
Kurse TV21 i kërkoi qëndrim edhe nga ish-kryeministri Zoran Zaev për akuzat e Dimovës, por deri në këtë edicion të lajmeve, nuk morëm përgjigje. /ZOOM.AL/