Aplikacion
Emërimi i Balajt, sipas Belerit, është në kundërshtim me Kushtetutën, duke shtuar se i vetmi që duhej të betohej si kryetar është ai sepse ai është zgjedhur nga sovrani.
Ai sulmoi edhe Vangjel Tavon, duke e akuzuar se iu është nënshtruar urdhrave të Edi Ramës dhe se të njëjtat urdhra po sigurohet t’ua kalojë edhe vartësve.
Reagimi i plotë i Fredi Belerit:
Pas zgjedhjes së kryetares së re të Bashkisë Himarë, Blerina Balaj, me 15 vota Këshilli Bashkiak, vjen reagimi i parë nga Fredi Beleri i cili ndodhet në burg për blerje votash.Në një postim në rrjetet sociale, Beleri thotë se u shkel Kushtetuta.
Një lëmsh juridik i pamundur për t’u zgjidhur. Lëmsh i krijuar me kontributin e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme kundër korrupsionit, të cilët nuk kanë kurajë t’i thonë JO z. Rama.
Asnjë ligj dhe asnjë nen i Kushtetutës nuk e parashikon këtë që po ndodh në Bashkinë Himarë. Neni 61 i ligjit 139/2015 që trumbeton prefekti nuk zgjidh ndërprerjen e parakohshme të një mandati të mbaruar me kohë. Asnjë praktikë e mirë evropiane, të cilave z. Rama iu referua, nuk thotë se kryetari i bashkisë caktohet nga partia humbëse e zgjedhjeve për kryetar bashkie. Asnjë praktikë e mirë evropiane nuk parashikon të caktohet nga prefekti si kryetar bashkie një person që nuk është zgjedhur as këshilltar bashkiak, por është emëruar nga humbësi.
Shkelët Kushtetutën dhe atë që u votua nga sovrani nuk e lejuat të betohet. Në kundërshtim me ligjin, caktoni një kryetar të ri bashkie, siç edhe Prefekti e deklaroi, dhe e interpretoni ligjin ashtu siç ju intereson. Juve nuk ju intereson ligji, por ju intereson vetëm të mos betohet, qoftë edhe për një orë të vetme, ai që u zgjodh kryetar bashkie konform Nenit 109 të Kushtetutës. Për ju, ligji është thjesht një copë letër bakalli. Me gjasë, letër bakalli është edhe për z. Tavo, i cili në kundërshtim me ligjin, dje u tregoi këshilltarëve si të mendonin, sot mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak për t`u siguruar që e kishin kuptuar drejt urdhërin e tij. Pa patur asnjë kompetencë, filloi sot fjalimet elektorale duke premtuar tituj pronësie.
Zgjidhja e vetme është respektimi i Kushtetutës. Zgjidhja e vetme është të lejohet fituesi i zgjedhjeve të betohet. Është e vetmja gjë që mund t’i japë fund këtij kaosi ligjor dhe të ndalojë absurdin në Bashkinë Himarë, duke trajtuar banorët e kësaj bashkie në mënyrë të barabartë me çdo qytetar tjetër të kësaj Republike që ushtroi të drejtën e tij elektorale në zgjedhjet e datës 14 maj.
Dhionisios – Alfred Beleri
Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë
(sepse kryetari i bashkisë zgjidhet nga populli dhe jo nga vota e 15 njerëzve të trembur)
Mosbindja civile/ Procedohen deputetët e opozitës: Goditje për shkak të detyrës dhe … (Emrat)