zoom

Lajme

Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Himarë, banorët: Nxirreni jashtë atë legenin Tavo…!

Teksa dy kryebashkiakë të Himarës janë pas hekurave të qelisë, një i dënuar dhe tjetri nën proces hetimor, tensionet dhe kaosi në qytet janë prezente.

Madje edhe mbledhjet e pushtetit vendor nuk janë aspak normale, teksa i dorëhequri Jorgo Goro dhe i zgjedhuri Fredi Beleri janë në burg. Këshilli i Himarës do të vendosë se cili nënkryetar do të drejtojë i komanduar dhe me detyra të deleguara.

Incident ka ndodhur edhe ditën e sotme, me përplasje të forta dhe akuza në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës.

Banorët kanë kërkuar që të dalin nga mbledhja Vangjel Tavo e Blendi Klosi, që kishin shkuar me funksione administrative për të ndjekur mbledhjen.

“Ta marrin ta nxjerrin jashtë Tavon, nuk është i joni ai legeni. Merreni nxirreni jashtë”, dëgjohen teksa thonë banorët.

Ndërkohë, në sherr dëgjohen se janë përfshirë dhe gra. “Nuk është kryetari ynë ai”, dëgjohen të tjerë.

Këshilli i Bashkisë së Himarës përbëhet nga 21 anëtarë, 9 nga PS, 7 PD ndërsa 5 anëtarë të tjerë nga parti të vogla.

Si prefekt i Qarkut Vlorë, Vangjel Tavo, i emëruar nga kryeministri Edi Rama ditë më parë, duhet të ndjek të gjitha zhvillimet ligjore dhe administrativo-juridike të bashkive dhe njesive administrative. /ZOOM.AL/