zoom

Slider

Shkencëtarët heqin HIV-in nga qelizat e infektuara, shpresë për çlirimin e trupit nga virusi

Shkencëtarët thonë se kanë eliminuar me sukses HIV-in nga qelizat e infektuara, duke përdorur teknologjinë e modifikimit të gjeneve Crispr, fituese e çmimit Nobel.

Duke punuar si “gërshërë”, por në nivel molekular, pret ADN-në në mënyrë që qelizat e infektuara të hiqen ose çaktivizohen.

Shpresa është që përfundimisht të jemi në gjendje të çlirojmë trupin tërësisht nga virusi, megjithëse nevojitet shumë më tepër punë për të kontrolluar se ai do të jetë i sigurt dhe efektiv.

Ilaçet ekzistuese të HIV-it mund ta ndalojnë virusin, por jo ta eliminojnë atë.

Ekipi i Universitetit të Amsterdamit, duke paraqitur një përmbledhje të gjetjeve të tyre në një konferencë mjekësore këtë javë, theksoi se puna e tyre mbetet thjesht “provë e konceptit” dhe nuk do të bëhet një kurë për HIV-in së shpejti.

James Dixon, profesor i asociuar i teknologjive të terapisë së gjeneve dhe qelizave staminale në Universitetin e Nottingham, u shpreh se gjetjet e plota ende kërkojnë shqyrtim.

“Do të nevojitet shumë më tepër punë për të demonstruar rezultatet në këto analiza qelizore mund të ndodhin në të gjithë trupin për një terapi të ardhshme. Do të ketë nevojë për shumë më tepër zhvillim përpara se kjo të ketë ndikim tek personat me HIV”, tha ai.