Aplikacion
Ai e quajti aferën prej 12.5 mln euro të këtij Eko-Parku, një “bijë” të megaskandalit të inceneratorëve.
Deklarata e plotë:
“Eko-Parku është një projekt korruptiv në qytetin e Durrësit, që mjafton që SPAK pa vonesë të ndërhyjë dhe të vërë para drejtësisë nivelet më të larta duke shkuar deri te Edi Rama.
Ky është një skandal, që është bijë e mega-skandalit korruptiv të inceneratorit.
Është i lidhur drejtpërdrejtë me të në të gjitha aspektet. Jo vetëm në interesat korruptive, jo vetëm për faktin që e gjitha është konceptuar në lidhje organike me skandalin e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston. Pra mbetjet e Durrësit, ajo plagë e madhe mjedisore, sipas këtij projekti, do dërgoheshin në mënyrë korruptive në një incenerator që nuk ekziston.
E gjitha kjo e arkitektuar në një mendje diabolike korruptive në majat më të larta, që inicion te kryeministri dhe ekzekutohet më pas nga mekanizmat në vartësi të tij, për të çuar para te të njëjtat persona që janë nën hetim sot për aferën e inceneratorit.
Emri që del fare qartë është ai i Klodian Zotos. Pra e gjitha në të njëjtin koncept.
Që të arrihet në këtë aferë korruptive, duhet patjetër të ekzistojë jo vetëm një qëllim i strukturuar nga Edi Rama për të zhvatur paranë publike. Këto para përfundojnë në xhepat e Edi Ramës, ministrave, drejtorëve të tij dhe ortakëve në biznes të tij, por edhe duhet të krijohet një ndjesi mosndëshkimi. I vetmi që mund ta krijonte këtë ishte Edi Rama.
Ne sot do ju prezantojmë me faktin që PD, përveçse do dëshmojë me fakte të pakontestueshme këtë aferë, ne kemi bërë gati kallëizmin penal që do depozitohet në SPAK po sot për këtë aferë. Ky është një simbol tjetër i politikës së hienave, ku grabisin paratë në ditën për diell pa pyetur fare, aq më keq duke shfrytëzuar situata të vështira, aq më tepër tragjedi. Jo vetëm Edi Rama nëpërmjet mekanizmave të tij, krijoi atë që ju e dini, u përpoq të krijonte emergjencat mjedisore për të justifikuar kryerjen e veprimeve korruptive.
Por ai shfrytëzoi gjithashtu tragjedinë e tërmetit, kohë kur zhvillohet kjo aferë korruptive. Edi Rama kishte kohën të mendonte, kthjelltësinë të mendonte dhe ekzekutonte këtë aferë korruptive.
Eko-Parku është një projekt që bëri të pamundur zhvillimin e ndonjë projekti për trajtimin e mbetjeve urbane në Durrës që do ishte më i lirë, me më pak dëm për xhepat e qytetarëve dhe ambientin, dhe në çdo rast do të ishte i vërtetë.
Bashkia e Durrësit nuk kishte para t’i transportonte as në zona brenda bashkisë, por më pas u gjetën paratë për t’i transportuar mbetjet e qytetit të Durrësit në inceneratorin inekzistent të Tiranës. Durrsakët paguajnë më shumë se banorët e Tiranës për këtë operacion. Jo vetëm të njëjtën tarifë, por edhe kanë shtesë edhe koston e transportit. Të gjitha këto, mbasi krijuan bindjen se ishte e domosdoshme për ta bërë këtë, u vunë në dispozicion 19 milionë euro. U prish e gjithë procedura e tenderimit për t’u bërë një negocim pa shpallje dhe për ta marrë përsëri Klodian Zoto, nëpërmjet një kompanie të ngritur përmes shoferit të tij.
Nga 19 milionë euro që u tenderuan, u nënkontraktua më pas për 6.5 milionë euro. Pra, rreth 12.5 milionë euro shkuan në xhepat e atyre që arkitektuan këtë aferë korruptive. Si në shumë aspekte të tjera, Edi Rama është kujdesur që përmes kësaj afere t’i mbyllë gojën edhe kundërshtarëve të tij politikë. Kjo aferë provon vetëm një gjë: mekanizmin gjigant me të cilin zhvaten paratë e shqiptarëve duke kryer vepra korruptive me ndjesinë e pandëshkueshmërisë. Unë jam kryeministri, unë jam Zoti i këtij vendi, mua nuk më ndodh asgjë.
Kjo është bindja e Edi Ramës dhe për këtë ka ndërtuar një mekanizëm gjigant korrupsioni edhe të administratës, ku zyrtarë të lartë, siç është rasti i fundit i drejtorit të ARRSH, bëhen pjesë e kësaj skeme. Ne duhet të vëmë para përgjegjësi SPAK-un që ta hetojë këtë aferë, të mos e lërë në sirtar dhe personat përgjegjës të shkojnë para drejtësisë”. /ZOOM.AL/
Një mburojë e lartë raketore izraelite po “shkon” drejt Evropës, ku kërcënimi rus rritet