Aplikacion
Në rubrikën “Radar”, gazetari Milan Radonjiç, shkruan se shteti serb i ka dhënë ato para për “prokurim të paspecifikuar të pajisjeve të paspecifikuara” dhe mbështetje për sipërmarrjen. Gjithashtu zbulon se gjatë dhjetë viteve të fundit, “Rad 028” e Radoiçiç të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, ka marrë më shumë se 100 tenderë nga shteti serb.
“Rritja marramendëse e të ardhurave dhe fitimeve të kompanisë nga Zveçani filloi në të njëjtën kohë kur Radoiçiç në vitin 2018 u bë nënkryetar i Listës Serbe, dega e SNS-së në Kosovë. Vlera e marrëveshjeve të lidhura nga Rad 028 me shtetin në pesë vitet e fundit, është rritur me 14 herë, në 102.6 milionë euro”, thuhet në gazetë.
Gazetari shkruan se Radoiçiç kishte ndryshuar pronësinë e kompanisë duke hequr dorë nga aksionet e tij, të cilat u kaluan vëllezërve Veselinoviç, edhe këta të sanksionuar nga Thesari Amerikan. Kompania “Rad 028” nuk ka marrë më asnjë tender të ri nga shteti serb nga janari i këtij viti. Megjithatë rezulton se kompanitë tjera të themeluara bashkërisht nga Radoiçiç dhe vëllezërit Veselinoviç po punojnë pa probleme. E vetmja gjë që ka ndryshuar, thekson gazeta Nova, është struktura e pronësisë së kompanisë mëmë, ombrellë, Inkop, e cila është e regjistruar si pronare e disa kompanive filiale.