zoom

Lajme

Dramë në Champions/ Inter bie te penalltitë, Atletiko në delir. Reagimet e Inzaghit dhe Simeones

Champions regjistroi një dramë italiane rreth mesnatës së djeshme, teksa gjuajtjet e penalltive rezultuan fatale për Inter, me Lautaro që e fluturoi sferën jashtë porte e që ishte e treta e humbur për zikaltërit. Rrjedhimisht i nxori jashtë kompeticionit, kur shiheshin si favoritët e trofeut, edhe si nënkampionët në fuqi.

Atletiko Madrid bëri më mirë, madje përmbysi disavantazhin e minutës së 33 që vendosi Inter. Italianët me dy gola në avantazh në total, nuk mbajtën dot presionin dhe fillimisht Griezman dhe më pas Depai minutat e fundit, vunë barazpeshën, duke e çuar ndeshjen në shtesë.

Ruleta e penalltive i buzëqeshi spanjollëve, që do tentojnë për herë të tretë në një dekadë trofeun, që e kanë humbur dy herë në finale ndaj kushërinjve të Real Madrid me shtesë, 2014 dhe 2016.

Në momentin më të mirë, atëherë kur dukeshin të pathyeshëm, Inter bie keq në Madrid, pëson një eliminim të rëndë nga Atletico, me Inzaghi-n që mori një leksion të pastër futbolli, në Champions duhet gjithnjë diçka më shumë, mbi të gjitha duhet sakrificë. Ky eliminim, në këtë formë, i lë një shije të hidhur teknikut zikaltër:

“Skuadra nuk është mësuar të humbas, por ky eliminim na djeg pasi e kishim kualifikimin në dorë. Na vjen keq, por jam super krenar që jam trajneri i këtij grupi. Kemi dal nga Champions dhe Kupa e Italisë pas kohës shtesë dhe penalltive, tani kemi dhe 10 ndeshje në Serie A për të arritur një objektiv shumë të rëndësishëm”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.

Teksa luajti ndeshjen e tij nga pankina deri në sekondën e fundit Diego Simeone. Trajneri i Atletico Madrid zbuloi edhe sekretin e këtij ekipi:

“Kemi një avantazh të madh, tifozët tanë. Stadiumi ishte plot edhe pse vinim pas dy ndeshjeve të shëmtuara. Luajtëm një ndeshje të madhe, eliminuam një nga skuadrat më të mira në Europë. Tani sigurisht që do të shohim për më shumë. Ne kishim një plan të qartë, e ndoqëm atë edhe pasi pësuan golin. Këtë herë penalltitë shkuan në favorin tonë”, u shpreh Diego Simone pas ndeshjes.

Skuadra tjetër që kaloi ishte Dortmund, që fitoi 2-0 ndaj PSV, teksa takimi i parë në Holandë ishte mbyllur në barazim, 1-1. Aktualisht tetëshja e Champions është kompletuar, me respektivisht më të mirat që presin shortin:

Real Madrid, Manchester City, Barcelona, Arsenal, Atletiko Madrid, PSG, Bayern Mynih dhe Dortmund. Bie në sy dominimi i spanjolleve me tre skuadra dhe gjermaneve e anglezeve me nga dy. /ZOOM.AL/