zoom

Aktualitet

Grupi i tij kriminal u zhvati italianëve 4,7 mln euro, Dubai ekstradon të kërkuarin Çobo

Dubai solli nën pranga sot në Rinas një nga personat e shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, i cili po tentonte të fshihej në atë vend.

Policia e Shtetit ka dhënë edhe informacion zyrtar për ekstradimin e Bruno Çobos, nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë.

Burime zyrtare bënë me dije se Çobo akuzohet nga SPAK-u, si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call-center.

Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4,7 mln euro nga skema e mashtrimit, kryesisht ndaj shtetasve italianë.

“Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Marrëveshja e ekstradimit në proces, mes 2 vendeve, intensifikon bashkëpunimin për lokalizimin e shtetasve që i fshihen drejtësisë shqiptare, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve për këtë qëllim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, për ekstradimin e thjeshtuar të një 28-vjeçari shqiptar të akuzuar nga SPAK-u, si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call center-i”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4 700 000 euro, nga skema e mashtrimit. 28-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është lokalizuar në Abu Dhabi dhe përcjellë më tej në Dubai për procedurë, pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Shtetasi B. C., 28 vjeç, ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri. Ky shtetas akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale “mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, theksohet më tej.

Strukturat e Policisë së Shtetit bënë me dije se vijojnë bashkëpunimin intensiv me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që kanë kryer veprimtari kriminale në Shqipëri dhe qëndrojnë aty, për t’iu fshehur drejtësisë shqiptare, duke përfituar nga mungesa e marrëveshjes së ekstradimit. /ZOOM.AL/